Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërkuar nga Izraeli që të anulojë marrëveshjen e armëpushimit me Hamasin dhe “të shpërthejë gjithçka” nëse kjo organizatë nuk i kthen pengjet e mbajtur në Gaza deri në mesditë të shtunën.
Të hënën, Hamasi kërcënoi se do ta shtyjë lirimin e grupit të ri të pengjeve të paraparë për të shtunën “deri në një njoftim të ri”, duke e akuzuar Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
“Sa më përket mua, nëse të gjitha pengjet nuk kthehen deri të shtunën në orën 12 – mendoj se është koha e duhur – do të thosha, anuloje dhe të mbyllet gjithçka e le të shpërthejë”, u ka thënë presidenti gazetarëve në Zyrën Ovale, pasi nënshkroi disa urdhra ekzekutivë. “Unë do të thosha se ata duhet të kthehen deri në orën 12 të shtunën dhe nëse nuk kthehen të gjithë, do të thosha pas kësaj që të shpërthejë”.
I pyetur më konkretisht për termet e përdorura, Trumpi ka thënë se “gjithçka do të kuptohet – e edhe Hamasi do ta marrë vesh”.
Trumpi ka shprehur skepticizëm se shumë pengje do të lirohen, duke u thënë gazetarëve se mendon që shumë pengje kanë vdekur.
Më herët gjatë javës, Trumpi ka thënë se palestinezët s’duhet të kenë të drejtë të kthehen në Gazë nën një propozim të tij që SHBA-ja ta marrë përsipër kontrollin e Rripit dhe rindërtimin e tij.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit e cila ka hyrë në fuqi më 19 janar, 33 pengje izraelite do të lirohen në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë në Izrael.
Deri më tani janë liruar 16 pengje izraelite dhe 566 të burgosur palestinezë.