Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të premten në një postim në rrjetin social “Truth Social” se është duke e konsideruar seriozisht që t’i vendosë sanksione Federatës Ruse, deri kur të konkretizohet armëpushimi dhe marrëveshja e paqes me Ukrainën, shkruan The Guardian.
“Duke u bazuar në faktin se Rusia është absolutisht duke ‘shkatërruar’ Ukrainën në fushën e betejës për momentin, unë jam duke e konsideruar seriozisht që t’i vendosi sanksione bankare, sanksione të tjera, dhe tarifa Rusisë, derisa të arrihet armëpushimi dhe një marrëveshje finale e paqes”, ka shkruar presidenti amerikan.
Deri më tani, SHBA-ja ka sanksione të shumta që i ka vendosur më herët ndaj Rusisë.
Nuk është akoma e qartë nëse Trumpi kërkon të shtrëngojë sanksionet ekzistuese ose të shtojë sanksione të reja.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, SHBA-ja, BE-ja dhe shtete të tjera në gjithë botën i kanë vënë më shumë se 21 mijë sanksione ndaj Rusisë. Kryesisht industria e naftës ka qenë më e prekura. Shtetet perëndimore kanë ndaluar edhe eksportet që Rusia do të mund t’i përdorte për armatim, si dhe importet e arit e diamanteve nga Rusia, fluturimet nga Rusia dhe kanë sanksionuar oligarkët e lidhur me Kremlinin.
Sanksionet e deritanishme perëndimore karshi Rusisë
Që prej agresionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, vendet perëndimore si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian – së bashku me Australinë, Kanadanë dhe Japoninë – i kanë vendosur mbi 21 mijë sanksione Rusisë.
Në listën e këtyre sanksioneve të mëdha janë:
• Rreth 350 miliardë dollarë të rezervave të jashtme të Rusisë – me gjysmën e totalit të tyre – që ishte ngrirë në vitin 2022
• Rreth 70% të aseteve bankare u ngrinë dhe disa banka ruse u përjashtuan nga Swift, sistem kyç i pagesave ndërkombëtare
• SHBA-ja dhe Britania e Madhe ndaluan naftën dhe gazin natyror rus, ndërsa BE-ja ndaloi importet e naftës së papërpunuar nga deti
• Shtatë vendet më të industrializuara të botës (G7) vendosën një kufi çmimi prej 60 dollarësh për fuçi ndaj naftës ruse, në mënyrë që të kufizonin të ardhurat e vendit