Botë

Trumpi paralajmëron Iranin: Ndalo ndihmat ushtarake për Houthit në Jemen

Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Republikën Islamike të Iranit përmes një postimi në rrjetin social “Truth Social” të mërkurën, duke i kërkuar që të ndalojë menjëherë dërgimin e ndihmave ushtarake për grupin militant Houthi në Jemen, raporton CNN.

“Po vijnë raporte, ndërkohë që Irani ka ulur intensitetin e ndihmës me pajisje ushtarake dhe mbështetje të përgjithshme për Houthit, ata ende po dërgojnë nivele të mëdha furnizimesh. Irani duhet ta ndalë dërgimin e këtyre furnizimeve menjëherë”, ka shkruar Trump.

“Lërini Houthit të luftojnë vetë. Në çdo rast ata humbin, por kështu humbin më shpejt. Dëme të mëdha janë shkaktuar ndaj barbarëve Houthi, dhe shikoni si do të bëhet gjithnjë e më keq — Nuk është as betejë e barabartë, dhe kurrë nuk do të jetë. Ata do të shkatërrohen plotësisht!”, ka shtuar presidenti amerikan.

SHBA-ja ka nisur atë që e ka quajtur një valë vendimtare dhe të fuqishme sulmesh ajrore ndaj objektivave Houthi të shtunën, si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar sulmet e Houthive ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq. 

Houthit kanë kryer më shumë se 100 sulme ndaj anijeve transportuese që nga nëntori i 2023-tës, sipas tyre në solidaritet me palestinezët mbi luftën e Izraelit me Hamasin në Rripin e Gazës.

Si pasojë e sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, numri i të vdekurve nga ana e Houthive ka arritur në 53.