Botë

Trumpi paralajmëron amerikanët se tarifat mund të shkaktojnë “dhimbje”

Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se amerikanët mund të ndiejnë “dhimbje” ekonomike nga tarifat që ai u ka vendosur partnerëve kryesorë në tregti, shkruan "The Guardian".

Trump ka vendosur tarifa 25 për qind për importet nga Meksika dhe Kanadaja dhe 10 për qind shtesë tarifa mbi tarifat aktuale për importet nga Kina. 

Si kundërpërgjigje të tri vendet kanë paralajmëruar tarifa ndaj mallrave amerikane. 

“A do të ketë dhimbje? Po, ndoshta (dhe ndoshta jo!)”, ka shkruar Trump të dielën në rrjetin e tij social “Truth Social”. “Por, ne do ta bëjmë Amerikën të Madhërishme sërish dhe do të jetë një çmim që ia vlen të paguhet”. 

Më herët të dielën, Dhoma e Tregtisë e SHBA-së ka paralajmëruar se tarifat e vendosura nga presidenti Trump do të ndikojnë në rritjen e çmimeve për amerikanët. 

Nënkryetari i dhomës, John Murphy, ka thënë se presidenti "ka të drejtë që fokusohet në problemet e mëdha”, por paralajmëron se vendosja e tarifave "nuk do t'i zgjidhë këto probleme dhe vetëm do të rrisë çmimet për familjet amerikane”.

"Dhoma do të konsultohet me anëtarët tanë, duke përfshirë bizneset kryesore në të gjithë vendin të prekur nga kjo lëvizje, për të përcaktuar hapat e ardhshëm për të parandaluar dëmtimin ekonomik për amerikanët”, ka shtuar Murphy.

Trump ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për vendosje të tarifave ndaj importeve nga Kanadaja, Meksika dhe Kina të shtunën. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi të martën. 

Ndërkohë po pritet që Trumpi të marrë masa edhe ndaj importeve nga Bashkimi Evropian. Ai më herët kishte paralajmëruar BE-në me masa, duke thënë se ka deficit tregtar 350 miliardë dollarë. 

“Është vetëm çështje kohe para se BE-ja të shënjestrohet. Në ndërkohë, fakti që Kanadaja po reagon dhe po vendos tarifa ndaj mallrave amerikane është shenjë e gjërave që po priten dhe dëshmojnë rrezikun ndaj tregtisë globale”, tha Marchel Alexandrovich, një ekonomist në “Saltmarsh Economis” në Londër.