Botë

Trumpi nuk e zgjedh Grenellin, por një gjeneral të pensionuar për luftën në Ukrainë

Donald Trump & Keith Kellogg

Donald Trump & Keith Kellogg

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka zgjedhur Keith Kelloggun, gjeneral në pension, si të dërguarin e SHBA-së për zgjidhjen e luftës midis Ukrainës dhe Rusisë. Kjo zgjedhje e Trumpit po cilësohet si befasuese, raporton Reuters.

Fillimisht, për këtë pozitë u përmend Richard Grenelli, por sipas mediave amerikane, Trumpi u tërhoq në minutat e fundit dhe e emëroi Kelloggun.

Kellogg do të jetë edhe një herë pjesë e administratës Trump. Në mandatin e parë, luajti rol aktiv si këshilltar kryesor i sigurisë kombëtare të zëvendëspresidentit Mike Pence.

Trump njoftoi të mërkurën në rrjetin e tij social, Truth Social, se e ka zgjedhur Kelloggun për këtë pozitë.

“Keith ka karrierë të shquar ushtarake dhe biznesore, duke përfshirë shërbimin në role shumë të ndjeshme të Sigurisë Kombëtare gjatë administratës sime të parë”, shkroi Trump.

Autor i planit të diskutueshëm për paqen në Ukrainë

Në periudhën nga viti 2020 e deri më sot, gjatë mandatit të Joe Biden, Kellogg qëndroi larg syrit të publikut dhe u vu sërish në fokus kur ishte një nga autorët e planit të paqes për Ukrainën, të cilin ia prezantoi Trumpit.

Sipas pikëpamjeve të tij për agresionin rus kundër Ukrainës, Kellogg është më afër qëndrimit të zëvendëspresidentit të ardhshëm të SHBA-së, JD Vance, i cili dëshiron që lufta të ndalet, qoftë edhe me koston e lëshimeve territoriale ndaj Rusisë.

Pikërisht mbi këto ideale qëndron plani Kellogg, i cili është nënshkruar edhe nga Fred Fleitz, një tjetër anëtar i rangut të lartë i administratës së parë Trump.

Kellogg dhe Fleitz paraqitën planin ku Ukraina dhe Rusia do të ndaleshin në vijat e frontit aktual, të cilat do të bëheshin kufijtë efektivë midis dy shteteve. Me këtë, Ukraina do të humbiste një pjesë të konsiderueshme të territorit në lindje të vendit, si dhe gadishullin e Krimesë.

Në mënyrë që plani të realizohet, Kellogg mbron pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën nga SHBA-ja, derisa përfaqësuesit e këtij vendi të ulen në tryezën e bisedimeve me Rusinë.

Megjithëse është e paqartë se cilat janë të gjitha detajet e planit, emërimi i Kelloggut sugjeron se ideja është e pranueshme për Trumpin dhe i ka dhënë atij një pozicion ku mund të paraqesë vizionin për t’i dhënë fund luftës.