Botë

Trumpi nesër vendos tarifa ndaj importeve nga Kanadaja, Meksika dhe Kina

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nga e nesërmja (1 shkurt) do të vendosë tarifa prej 25 për qind për importet nga Kanadaja dhe Meksika dhe 10 për qind për mallrat kineze, ka thënë të premten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, shkruan CNN.

“Presidenti do të vendosë nesër tarifa 25 për qind për Meksikën, 25 për qind për Kanadanë dhe 10 për qind për Kinën për fentanilin e paligjshëm që e kanë furnizuar dhe lejuar të shpërndahet në vendin tonë, i cili është shkaktar për vdekjen e miliona amerikanëve”, ka thënë Leavitt gjatë një konference për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të premten.

Leavitt ka thënë se tarifat që do të vendosen të shtunën do të hynë në fuqi menjëherë.

Konfirmimi i zëdhënëses i jep fund spekulimeve nëse Trumpi do ta përmbushte premtimin që e bëri gjatë fushatës presidenciale.

“Këto janë premtime të bëra dhe premtime të mbajtura nga presidenti”, ka shtuar ajo.

Leavitt nuk dha detaje rreth tarifave të reja. Nuk tregoi nëse ato përfshijnë edhe importet e naftës apo nëse do të ketë përjashtime të tjera.

Trumpi këtë javë hodhi poshtë idenë që konsumatorët amerikanë varen nga importet nga dy fqinjët e Amerikës së Veriut.

“Ne nuk kemi nevojë për atë që ata kanë”, ka thënë Trump, duke iu referuar Kanadasë dhe Meksikës.

Ekonomistët besojnë kryesisht se, në rrethana të kufizuara, tarifat mund të jenë mjete efektive për rritjen ekonomike. Trumpi ka përdorur dhe ka premtuar të përdorë tarifat për tre qëllime kryesore: për të rritur të ardhurat, për të sjellë balancë tregtare dhe për të sjellë vendet rivale në tryezën e negociatave.

Trumpi ka thënë se dëshiron që Kanadaja dhe Meksika të ndalojnë fluksin e emigrantëve dhe drogërave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Dhe për Kinën, Trumpi ka thënë se tarifat do të kenë për qëllim të detyrojnë këtë shtet të përmbushë atë që ai u shpreh se ishte premtim që i ishte bërë atij, që qeveria kineze t’i ekzekutonte ata që kapen duke dërguar fentanil në SHBA.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka thënë se janë të përgatitur për tarifat që mund të vendosë SHBA-ja dhe se do ta mbrojnë dinjitetin e popullit meksikan.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka thënë se po punojnë për t’i ndalur tarifat, por që Kanadaja është gati me përgjigje të fuqishme dhe të menjëhershme nëse ato ecin përpara.