Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar të enjten planin për të rritur tarifat amerikane, në mënyrë që ato të përputhen me normat e tatimit që vendet e tjera e ngarkojnë për importet nga SHBA-ja, raporton AP.
Vendimi i presidentit amerikan ka mundësi të shkaktojë konflikte të reja ekonomike me aleatët dhe rivalët, pasi ai shpreson të eliminojë çdo pabarazi tregtare.
“Unë kam vendosur për qëllime të drejta, që të ngarkoj një tarifë reciproke. Është e drejtë për të gjithë. Asnjë vend tjetër nuk mund të ankohet”, ka thënë presidenti amerikan nga Zyra Ovale pas nënshkrimit të memorandumit.
Rritjet e tarifave do të specifikohen për secilin vend me qëllimin për të filluar negociata të reja tregtare. Por, vendet e tjera mund të ndihen gjithashtu të detyruara të përgjigjen me rritjen e tarifave të tyre për mallrat amerikane.
Politikat e tarifave mund të prodhojnë efekte të kundërta për Trumpin, nëse agjenda e tij rrit inflacionin dhe ndalon rritjen ekonomike, duke e bërë këtë vendim me kosto të lartë.