Botë

Trumpi merr 15 milionë dollarë dëmshpërblim për shpifje ndaj tij

Donald Trump

Foto: Associated Press

Mediumi ABC News është pajtuar t'i paguajë 15 milionë dollarë presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për të zgjidhur një padi për shpifje, pasi prezantuesi i saj kishte deklaruar në mënyrë të rreme se ai ishte gjetur "përgjegjës për përdhunim".

George Stephanopoulos i bëri këto deklarata në mënyrë të përsëritur gjatë një interviste më 10 mars të këtij viti, teksa përpiqej të sfidonte një kongresmene për mbështetjen e saj për Trumpin, raporton BBC.

Si pjesë e marrëveshjes të së shtunës, e raportuar fillimisht nga Fox News Digital, ABC do të publikojë gjithashtu një deklaratë ku shpreh "keqardhjen" e saj për deklaratat e Stephanopoulos.

Sipas marrëveshjes, ABC News do të paguajë 15 milionë dollarë si një kontribut bamirësie për një "fondacion dhe muze presidencial që do të krijohet nga ose për paditësin, siç kanë krijuar në të kaluarën presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Rrjeti ka rënë gjithashtu dakord të paguante 1 milion dollarë për tarifat ligjore të Trumpit.

Sipas marrëveshjes, rrjeti do të postojë një shënim redaktorial në fund të artikullit të tij të lajmeve në internet të 10 marsit 2024, rreth historisë.

Aty do të thuhet se "ABC News dhe George Stephanopoulos shprehin keqardhje për deklaratat në lidhje me presidentin Donald J Trump të bëra gjatë një interviste të George Stephanopoulos me përfaqësuesen Nancy Mace në ABC's This Week më 10 mars 2024."

Një zëdhënës i ABC News ka thënë në një deklaratë se kompania ishte "e kënaqur që palët kanë arritur një marrëveshje për të hedhur poshtë padinë”.