Botë

Trumpi kërkon t’u testohen aftësitë njohëse kandidatëve për president

Donald Trump

Foto: Associated Press

Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se të gjithë kandidatët duhet t’i nënshtrohen një testi kognitiv, duke insistuar në aftësinë e tij mendore për postin që synon ta rikthejë.

Duke folur në një tubim në Pensilvani, Trumpi ka thënë se ai nuk ka ndonjë problem njohës, teksa për kundërkandidaten e tij demokrate, Kamala Harris, është shprehur se ajo mund të ketë, raporton BBC.

"Unë në fakt bëj thirrje për një test kognitiv për të gjithë njerëzit që duan të kandidojnë për president. Jo në bazë të moshës. Unë nuk jam 80 vjeç dhe nuk jam aq afër 80”, është shprehur Trumpi. 

“Unë kam bërë teste njohëse dy herë dhe i kam kaluar të dyja”, ka shtuar ai.

Trumpi ka deklaruar se atij i ishte thënë se testet e detyrueshme njohëse do të ishin jokushtetuese.

Fushata e Harrisit ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi shëndetin kognitiv të Trumpit dhe e ka kritikuar atë për refuzimin e publikimit të të dhënave të tij mjekësore.