Botë

Trumpi kërkon lirimin e pengjeve që po mbahen në Gaza deri më 20 janar

Donald Trump

Foto: Associated Press

Udhëheqësit izraelitë përshëndetën të martën një zotim të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, se do të kishte "ferr për t'u paguar" në Lindjen e Mesme, nëse pengjet e mbajtura në Rripin e Gazës nuk lirohen përpara inaugurimit të tij, më 20 janar.

Trumpi ka shkruar në rrjetin “Truth Social”, pa përmendur asnjë grup, se pengjet duhej të liroheshin deri në kohën kur ai të bënte betimin, raporton Reuters.

"Ata që janë përgjegjës do të goditen më fort se kushdo është goditur në historinë e gjatë dhe të rrëfyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", ka shkruar Trumpi duke folur rreth mundësisë që kërkesa e tij të mos plotësohej. 

Gjatë sulmit të tyre vdekjeprurës të vitit 2023 ndaj Izraelit, militantët e udhëhequr nga Hamasi kapën më shumë se 250 persona. Disa janë liruar, por rreth gjysma e tyre janë ende në Gaza, megjithëse të paktën një e treta e tyre besohet të jenë të vdekur.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe shumë nga ministrat e tij falënderuan publikisht Trumpin për fjalët e tij.

“Presidenti Trump e vuri theksin në vendin e duhur, mbi Hamasin dhe jo mbi qeverinë izraelite, siç është zakon diku tjetër”, ka thënë Netanyahu në fillim të një takimi të kabinetit.

Ministri i Financave Bezalel Smotrich tha se deklarata e Trump ua kishte bërë të qartë të gjithëve se kush ishte me të drejtën dhe kush e kishte gabim.

Falënderimet e tyre u shprehën edhe nga familjarët e pengjeve të zhdukur.