Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar ta rivendosë kontrollin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kanalin e Panamasë, duke e akuzuar Panamanë për tarifa të tepërta për përdorimin e këtij kalimi, përmes së cilit anijet të kalojnë nga Oqeani Paqësor në Atlantik.
Në një postim në Truth Social, Trumpi paralajmëroi gjithashtu se nuk do ta linte Kanalin të bjerë në “duar të gabuara” dhe siç duket paralajmëroi për ndikimin e mundshëm kinez në kalim. Ai tha se Kanali nuk duhet të menaxhohet nga Kina, raporton Reuters.
Kina nuk kontrollon ose administron Kanalin. Megjithatë, një degë e korporatës CK Hutchison Holdings me bazë në Hong Kong, ka menaxhuar prej kohësh dy porte të vendosura në hyrjet e Karaibeve dhe Paqësorit.
Postimi ishte shembull jashtëzakonisht i rrallë i një lideri amerikan që thoshte se mund të shtynte një vend sovran ta dorëzonte territorin.
Disa politikanë panamezë shkruan në mediat sociale, ku i kritikuan deklaratat e Trumpit dhe i kërkuan qeverisë ta mbrojë kanalin.
Nuk është e qartë se si Trumpi do ta rimarrë kontrollin mbi kanalin dhe ai nuk do të kishte asnjë rekurs nëse do të vendoste të ndërmerrte diçka, sipas ligjit ndërkombëtar.