Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se administrata e udhëhequr nga ai mund t’i rikthejë tarifat reciproke “brenda dy, tri javëve”, të suspenduara më 9 prill, transmeton The Guardian.
Tek ka folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan ka deklaruar se “në fund të ditës, mendoj se ajo çka do të ndodhë, është se ne do të nënshkruajmë marrëveshje të mira, dhe meqë ra fjala, nëse nuk kemi marrëveshje me ndonjë kompani ose shtet, atëherë do t’i rikthejmë tarifat. Do të thosha në javët e ardhshme. Brenda dy, tri javëve të ardhshme”.
Më datë 9 prill, Trumpi kishte “suspenduar” shumicën e tarifave të cilat i kishte vendosur ndaj pothuajse secilit partner tregtar të SHBA-së. Prononcimi i tij i fundit krijon paqartësi për importuesit dhe eksportuesit nëse do të ballafaqohen ose jo me tarifën 10 për qind të paralajmëruar në fillim apo me ndonjë shifër krejtësisht të re.
Deri më tani, komponentët kyç të ekonomisë globale i kanë rezistuar presionit prej administratës Trump. Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk ka asnjë synim për të ndryshuar rregullat e tij për tatimin mbi vlerën e shtuar – një taksë që vendoset mbi mallra të caktuara në pikën e shitjes në vendet e BE-së – apo për subvencionet bujqësore.
As Kina nuk ka treguar asnjë shenjë se do të tërhiqet përballë vendimit të Trumpit për të vendosur një tarifë prej 145% mbi shumicën e mallrave me origjinë kineze.
Të mërkurën, një zyrtar i Qeverisë kineze ka bërë të ditur SHBA-ja duhet të ndalojë kërcënimet dhe shantazhin kundrejt Kinës, dhe të synojë dialogun e bazuar mbi barazinë, respektin dhe përfitimin e ndërsjellë. “Të kërkosh marrëveshje teksa ushtron presion maksimal nuk është rruga e duhur për t’iu qasur Kinës dhe thjesht nuk funksionon”, ka theksuar zyrtari.