Botë

Trumpi kërcënon Putinin me tarifa e sanksione nëse s’e ndalë luftën në Ukrainë

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Rusia do të përballet me “nivele të larta taksash, tarifash dhe sanksionesh” nëse presidenti Vladimir Putin nuk i jep fund luftës në Ukrainë.

Trumpi e ka bërë një postim në platformën e tij “Truth Social” duke shprehur “dashurinë” e tij për popullin rus dhe “marrëdhënien e tij të mirë” me Putinin, dhe më pas ka lëshuar një paralajmërim tjetër me fjalët “STOP kësaj lufte qesharake!”.

"VETËM DO TË PËRKEQËSOHET. Nëse nuk bëjmë një marrëveshje dhe së shpejti, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos nivele të larta taksash, tarifash dhe sanksionesh për çdo gjë që i shet Rusia Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse, ka shkruar Trump. 

"Është koha për të 'BËRË NJË MARRËVESHJE'. NUK DUHET TË KETË MË HUMBJE JETE", ka shtuar ai. 

Rusia është tashmë vendi më i sanksionuar në botë dhe ka shumë pak entitete apo sektorë kyç që nuk janë tashmë subjekt i kufizimeve të SHBA-së dhe Evropës.

Bankat ruse dhe ndërmarrjet ushtarako-industriale janë përshtatur dhe kanë zhvilluar zgjidhje për t'iu shmangur sanksioneve ekzistuese.