Botë

Trumpi kërcënon BE-në me tarifa ekstreme

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, të enjten ka thënë se Bashkimi Evropian është një prej autoriteteve më armiqësore dhe abuzive të taksimit dhe tarifave në botë, duke e kërcënuar se do t'i vendosë 200% tarifa ndaj “të gjitha verërave, shampanjave dhe produkteve alkoolike që importohen nga Franca dhe vendet e tjera anëtare të BE-së”. 

Ai ka thënë se kjo është kundërpërgjigje e planit të BE-së për të vendosur tarifë 50% ndaj uiskit amerikan, raporton The Guardian.

Trumpi po ashtu ka shtuar se kundërpërgjigjja e SHBA-së do të ishte “e mrekullueshme për bizneset e verërave dhe shampanjës në Amerikë”.

Bashkimi Evropian pati njoftuar të mërkurën kundërmasat e tij për tarifat e presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se ato do të hyjnë në fuqi më 1 prill.

BE-ja ka paralajmëruar kundërmasa me vlerë prej 26 miliardë eurosh.