Historiku i ndërhyrjeve gjeopolitike të Trumpit ka rrezikuar t’i izolojë ideologjikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëndrimet e tij për Gazën – pavarësisht se a përfaqësojnë një ide, plan ose diçka të ndërmjetme – mund ta shpejtojnë këtë proces
Që prej inaugurimit të presidentit Donald Trump ka pasur shumë fjalë të ngrohta – dhe pak kritika – nga liderët në Evropë dhe në sferën anglofone në përgjithësi.
Por, ky raport nuk ishte i destinuar të zgjasë dhe u thye këtë javë pas propozimit kundërthënës të Trumpit për ta vendosur Gazën nën kontrollin amerikan, duke e shpërngulur popullatën palestineze dhe duke e shndërruar enklavën në “Rivierë të Lindjes së Mesme”.
Propozimi ishte në kontrast të plotë me modelin e dy shteteve, që ka qenë në qendër të qasjes së komunitetit ndërkombëtar në lidhje me çështjen palestinezo-izraelite.
Shtetet u ngutën që ta kundërshtojnë këtë ide. Aleatët amerikanë në rajon reaguan me mosbesim dhe shqetësim për ndikimin që ky propozim i presidentit amerikan mund të ketë në përpjekjet diplomatike, veçanërisht në armëpushimin dhe negociatat për pengjet midis Hamasit dhe Izraelit.
As liderët evropianë nuk e përkrahën këtë ide, duke qenë të qartë në qëndrimet e tyre sa i përket propozimit.
Prapëseprapë Trumpi i ka vendosur aleatët e Amerikës në një pozitë të vështirë. Kritikat në drejtim të SHBA-së janë opsioni i fundit për shumë liderë.
“Pikëpamja ime është se të gjithë ata janë të habitur. Ata nuk e kishin menduar se kjo do të ndodhte,” ka thënë ish-zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jon B. Alterman.
Historiku i ndërhyrjeve gjeopolitike të Trumpit ka rrezikuar t’i izolojë ideologjikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëndrimet e tij për Gazën – pavarësisht se a përfaqësojnë një ide, plan ose diçka të ndërmjetme – mund ta shpejtojnë këtë proces.
“Kjo administratë nuk ka vetëm një instinkt, por edhe një apetit për të qenë shkatërrimtare”, ka shtuar Alterman. Ai kishte parashikuar se “një kërkim më i thellë shpirtëror në Evropë, mbi mënyrën se si dëshiron të angazhohet me një SHBA që është shumë më e vetëpërqendruar dhe shumë më pak e angazhuar për të mbështetur një sistem multilateral”.
Trumpi kundër Evropës
Shumica e vendeve perëndimore janë të kujdesshme kundrejt paparashikueshmërisë që Trumpi sjell në Shtëpinë e Bardhë, por ata ishin më të përgatitur për mandatin e tij të dytë sesa për mandatin e tij të parë.
Ata e kishin pritur një test si ky. Dhe përgjigjet e tyre kundrejt planit të Trumpit për Gazën theksojnë se si ata do ta trajtojnë administratën “Trump 2.0”.
Kombet e Bashkuara ishin të vendosura në qëndrimin e tyre, me sekretarin e përgjithshëm Antonio Guterres, i cili e paralajmëroi Trumpin kundër “spastrimit etnik”. Franca tha se propozimi përmbante “një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare”.
Ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Jose Manuel Albares, u deklarua për radiostacionin RNE se “për popullin e Gazës toka është Gaza”.
Në Evropën Perëndimore vetëm politikani holandez i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, e mbështeti planin.
“Lejojini palestinezët të zhvendosen në Jordani”. Problemi i Gazës u zgjidh!” - shkroi ai në rrjetin social X.
Presidenti gjerman, Walter Steinmeier, ka thënë se sugjerimi ishte “i papranueshëm”, dhe gjithashtu ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, iu bashkëngjit kur tha se plani do të “nxiste vuajtje të reja dhe urrejtje të reja”.
“Si një diplomat i karrierës, puna ime ka qenë gjithmonë që të shpjegojë interesin e SHBA-së në mënyrën më të mirë të mundshme. Presidenti Trump e ka bërë këtë punë akoma më të vështirë”, ka thënë Eric Nelson, ish-ambasadori amerikan në Bosnjë-Hercegovinë gjatë mandatit të parë të Trumpit dhe aktualisht drejtor i Qendrës për Studime të Sigurisë Marshall në Munich. “Në Gjermani reagimi i qeverisë ishte ashtu siç pritej: janë shumë përjashtues”, shtoi ai.
Është një dinamikë që ekipi i Trumpit do ta pranojë.
“Ata nuk do të presin që kryeqytetet perëndimore të radhiten në kor dhe të thonë ‘edhe unë, më përfshini edhe mua!’”, ka thënë Nathan Sales, ish-koordinator i Trumpit për kundërterrorizëm. “Ne nuk jemi të detyruar që të pajtohemi me miqtë tanë 100% të kohës.”
Por, drejtimi i kritikës ndaj një presidenti amerikan nuk është e lehtë për askënd.
Të marrim si shembull Britaninë e Madhe. Aleati i palëkundur i Amerikës është i dëshpëruar për marrëdhënie produktive me Trumpin, dhe shenjat e para tregojnë se një ofensivë tërheqëse nga kryeministri Keir Starmer po jep rezultate. Trumpi tha këtë javë se Starmer kishte qenë “shumë i mirë” dhe la të kuptohet se Mbretëria e Bashkuar mund t’i shmangë tarifat me të cilat Trump ka kërcënuar Bashkimin Evropian.
Mirëpo, këto ura janë të ndërtuara “mbi rërë”. Londra zyrtare është e vetëdijshme se një deklaratë e gabuar mund ta prishë punën disamujore për ta ledhatuar Trumpin. Në të njëjtën kohë Starmer e di rrezikun e dukjes si i nënshtruar ndaj një presidenti amerikan; kjo është pikërisht ajo për të cilën ai dikur kritikonte kryeministrat konservatorë.
Kjo mëdyshje detyron një përdorim delikat të fjalëve.
“Sa i përket Gazës, Donald Trumpi ka të drejtë,” iu tha sekretari i Jashtëm i kabinetit të Starmer, David Lammy, gazetarëve këtë javë. “Duke i parë ato skena, me palestinezët që janë shpërngulur, është e qartë se Gaza është duke u shtrirë në gërmadha”.
Një deputet i Partisë Laburiste i tha CNN se ai dhe kolegët e tij ishin “të tmerruar” nga propozimi i Trumpit. Por ai tha se kishte shumë faktorë – dukë përfshirë një armëpushim ekzistent dhe një marrëdhënie të rëndësishme tregtare – për të justifikuar kritikat publike ndaj presidentit.
Deputeti tha se “kishte shumë simpati për Starmerin”, i cili mundohet të mbajë marrëdhënie “sa më të mira që është e mundur”.
Beteja e radhës
Sikurse me shumicën e komenteve provokuese të Trumpit, propozimi i tij për Gazën është njëkohësisht i tallur dhe i analizuar si brenda ashtu dhe jashtë vendit për shenja të strategjisë.
Ata që e njohin linjën e tij të të menduarit kanë sugjeruar se hedhja e një standardi të padurueshëm mund të – qoftë me qëllim apo jo – krijoi urgjencë te aleatët e Amerikës për të sugjeruar diçka më të mirë.
“Ai kënaqet kur i mban njerëzit në gjendje gatishmërie”, tha Nelson.
“Ne i kemi parë këto manovra nga presidenti Trump edhe më herët... ky është arti i marrëveshjes”, ka shtuar Sales. “Shumica e aleatëve perëndimorë të SHBA-së kanë ngecur sa u përket propozimeve rreth konfliktit Izrael-Palestinë...në mandatin e parë, administrata Trump kishte kuptuar që ajo rrugë ishte e humbur”.
Por, nëse tejkalimi i një ngërçi të pashmangshëm diplomatik ishte plani, kjo vjen me rreziqe që aleatët e Amerikës nuk do t’i mirëpresin.
“Nganjëherë kur e thyen akullin, ka gjasa të lëshosh forca që janë shumë më negative se sa që mund të mendoni në fillim”, ka thënë Alterman.
Në mesin e tyre është një izolim i Amerikës ndaj çështjeve globale që mund të krijojë një vakum në udhëheqjen ndërkombëtare.
“Një numër i vendeve kanë për të vlerësuar se kanë nevojë për marrëdhënie të reja me Kinën dhe Rusinë”, paralajmëron Alterman. “Pjesërisht për të mos qenë në varësinë e SHBA-së, dhe një arsye tjetër qëndron në faktin se ato nuk i shohin më përfitimet morale në lidhjen e ngushtë me Shtetet e Bashkuara”.
Ky rrezik është i theksuar në kontekstin e lëvizjeve të Trumpit për të vendosur sanksione, dalë ose kritikuar agjencitë ndërkombëtare, dhe për të shkatërruar Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
“Njerëzit po e ngatërrojnë USAID-in me shoqatë bamirëse,” tha Nelson. “Amerikanët janë ndër njerëzit më bamirës në botë. Por realizimi i investimeve strategjike është shumë më i rëndësishëm për neve, sepse na mundëson të ndihmojmë partnerët tanë dhe të zgjerojmë ndikimin”.
Kjo nuk do të jetë çarja e fundit gjeopolitike midis Trumpit dhe Evropës. Shumë ekspertë i kanë vendosur sytë në mundësinë për negociata për të përfunduar luftën e Rusisë në Ukrainë. Trumpi kishte sugjeruar më parë dorëzimin e disa territoreve ukrainase, dhe zyrtarët në vendet e NATO-s janë frikësuar prej kohësh se ai mund të bëjë publike një marrëveshje të tillë, që e lë Kievin dhe kryeqytetet evropiane në një situatë të pasigurtë.
Ata do të përpiqen të mënjanojnë këto frika javën e ardhshme, kur disa anëtarë të rrethit të ngushtë të Trumpit – përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance dhe të dërguarin për Ukrainën dhe Rusinë Keith Kellogg – pritet të udhëtojnë për në Konferencën e Sigurisë në Munih, në Gjermani.
“Unë shpresoj se administrata do të ndjekë një qasje të balancuar dhe të kalkuluar në Ukrainë,” u shpreh Nelson. “ Dikush do të shpresonte që Trumpi të mbështetet në këshillat e ekspertëve” në lidhje me atë konflikt, shtoj ai.
Për shumë çështje globale, “muaji i mjaltit” për Trumpin duket se ka përfunduar. Dhe nëse vendet perëndimore kishin nevojë për një kujtesë të trazirave që ai mund të shkaktojë në çështjet globale, ata e kanë atë.
“Administrata Biden u përpoq të ishte e besueshme dhe e parashikueshme”, në skenën botërore, tha Alterman. “Administrata Trump e ka tërësisht instinktin e kundërt.”