Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të premten ka falur dy policë nga Washington D.C që ishin arrestuar në vitin 2020 për vrasjen e afro-amerikani 20-vjeçar Karon Hylton-Brown, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Në shtator të 2024-tës, Terence Sutton Jr ishte dënuar me 66 muaj burgim, ndërsa Andrew Zabavsky ishte dënuar me 48 muaj burgim për akuzat “për ndjekje të paautorizuar me veturë policore, që përfundoi me aksident me 23 tetor 2020, e që shkaktoi vdekjen e Karon Hylton-Brown, 20-vjeçar, në verilindje të Washingtonit”.
Zyrtarët ishin të lirë në pritje të vendimit të apelit.
Departamenti i Policisë Metropolitane ka deklaruar se Sutton, rreth 40-vjeçar, dhe Zebavsky, rreth 50-vjeçar, ishin “përkohësisht të pezulluar, në pritje të procesit administrativ.”
Sutton ishte shpallur fajtor nga një juri federale në fund të 2022, pas një gjyqi nëntëjavësh, për vrasje të shkallës së dytë, përpjekje për të mashtruar dhe për pengim të drejtësisë. E njëjta juri e shpalli Zabavskyn fajtor për konspiracion për të penguar dhe pengim të drejtësisë.
Juria vendosi që Sutton kishte shkaktuar vdekjen e Hylton-Brownit duke drejtuar veturën e policisë në mënyrë të pakujdesshme. Po ashtu juria konstatoi se Sutton dhe Zabavsky kanë bërë përpjekje për të fshehur nga zyrtarët e tjerë rrethanat e aksidentit që çoi në vdekjen e Hylton-Brownit.
Sindikata e policisë në Washington D.C kishte kërkuar që të falen policët.
Avokati i Sutton, Kellen Dwyer ka thënë në një deklaratë të cituar nga CNN se ai dhe klienti i tij ishin “të bindur se gjykata e Washington D.C-së do ta kishte anuluar këtë dënim”.
“Jemi të kënaqur që presidenti Trump e mbylli këtë ta ndjekje penale njëherë e përgjithmonë”, ka thënë ai.