Botë

Trumpi eskalon kundër Harrisit, flet për mundësinë që ajo të fitojë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Kandidati republikan për president Donald Trump ka eskaluar me sulmet e tij personale ndaj rivales së tij demokrate, Kamala Harris, të dielën, duke përsëritur një fyerje se ajo është një "e dëmtuar mendore", ndërsa ka shtuar se ajo duhet "të fajësohet dhe të ndiqet penalisht".

Në një tubim në Erie të Pensilvanisë të dielën, Trumpi ka thënë se Harrisi ishte përgjegjëse për një "pushtim" në kufirin SHBA-Meksikë dhe se "ajo duhet të fajësohet dhe të ndiqet penalisht për veprimet e saj".

"Joe Biden i shtrembër u bë keq mendërisht. E trishtueshme. Por gënjeshtarja Kamala Harris, sinqerisht, besoj se ajo ka lindur kështu. Ka diçka që nuk shkon me Kamala. Dhe thjesht nuk e di se çfarë është, por patjetër që diçka mungon. Dhe ju e dini çfarë është, të gjithë e dinë atë”, ka deklaruar Trump, raporton AP.

Kur kanë mbetur gati vetëm një muaj deri në zgjedhje, Trumpi po intensifikon përdorimin e sulmeve personale dhe ofenduese, edhe pse disa republikanë thonë se do të ishte më mirë që ai të përmbahej në këtë aspekt.

Idetë e tij që armiqtë politikë duhet të ndiqen po shihen si largimin nga normat në SHBA, sipas të cilave, sistemi gjyqësor supozohet të jetë i mbrojtur nga ndikimi politik.

Por ai ka edhe shumë probleme të tij ligjore. Ai u dënua në maj për falsifikimin e të dhënave të biznesit në një çështje të njohur si “paratë e heshtjes” në Nju Jork, me një dënim të planifikuar për më 26 nëntor.

Tri çështje të tjera janë në pritje kundër tij, duke përfshirë një të hedhur poshtë nga një gjykatës federal pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që u jep presidentëve imunitet të gjerë. Rastet e tjera janë në pritje.

Nëse ai fiton zgjedhjet, ai potencialisht mund të falë veten ose të urdhërojë Departamentin e Drejtësisë të mbyllë hetimet federale kundër tij.

Të dielën, ai e pranoi se mund të humbiste në nëntor. 

"Nëse ajo fiton, nuk do të jetë aq e këndshme për mua, por nuk më intereson”, ka deklaruar Trumpi.