Botë

Trumpi emëron vjehrrin e vajzës tjetër si këshilltar për çështjet arabe dhe Lindjen e Mesme

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump ka emëruar vjehrrin e vajzës së tij Tiffany, Massad Boulos, si këshilltar për çështjet arabe dhe të Lindjes së Mesme.

Biznesmeni libanez amerikan është vjehrri i dytë që i ofrohet një pozicion në administratën e ardhshme, pasi Trumpi zgjodhi Charles Kushner, vjehrrin e vajzës së tij Ivanka, për të shërbyer si ambasador në Francë, raporton BBC.

Boulos luajti një rol kyç jozyrtar në fushatën e Trumpit, duke e ndihmuar atë të përballet me votuesit arabo-amerikanë dhe myslimanë, pasi shumë prej tyre u zhgënjyen me administratën Biden për luftën Izrael-Gaza.

Duke njoftuar emërimin në mediat sociale, Trumpi ka thënë se Boulos ishte "instrumental në ndërtimin e koalicioneve të reja të jashtëzakonshme me komunitetin arabo-amerikan".

“Ai ka qenë një përkrahës prej kohësh i vlerave republikane dhe konservatore”, ka thënë Trump në “Truth Social”, duke shtuar se Boulos ishte një “aset” për fushatën e tij.

Boulos u bëri thirrje gjatë fushatës votuesve arabo-amerikanë dhe myslimanë që ta votonin Trumpin duke u premtuar atyre se ai do të rivendoste paqen në Lindjen e Mesme.

Boulos ka shërbyer tashmë si një lidhje jozyrtare midis Trumpit dhe liderëve të Lindjes së Mesme, raportoi Neë York Times.

Ai raportohet gjithashtu të ketë takuar Mahmoud Abbas, udhëheqësin e Autoritetit Palestinez, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

Në atë takim, Boulos thuhet se përcolli dëshirën e Trumpit për t'i dhënë fund luftës Izrael-Gaza dhe konflikteve të tjera në mbarë botën.