Botë

Trumpi e Xi Jinping bisedojnë për TikTokun

Donald Trump - Xi Jinping

Donald Trump dhe Xi Jinping

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe lideri kinez Xi Jinping kanë biseduar për tregti, narkotikë dhe rrjetin social TikTok gjatë një bisede telefonike të premten, ditë para se Trumpi ta marrë detyrën me premtime për vendosjen e tarifave dhe masave tjera ndaj rivalit më të madh ekonomik të Amerikës.

Pavarësisht saj, Xi ka uruar Trumpin për fitoren e mandatit të dytë dhe e ka shtyrë për përmirësimin e marrëdhënieve, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Kinës, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Thirrja erdhi në ditën kur Gjykata Supreme e SHBA-së e ka përkrahur ligjin për ndalimin e TikTokut nëse nuk i shitet një kompanie amerikane.

“Ne të dy vlerësojmë shumë rëndësinë e ndërveprimit. Shpresoj për një fillim të mirë në marrëdhëniet Kinë-SHBA gjatë presidencës së re të SHBA-së dhe ne jemi të gatshëm të sigurojmë përparim më të madh nga një pikënisje e re në marrëdhëniet Kinë-SHBA”, ka thënë Xi në telefonatë.

Disa orë para telefonatës, Ministria e Jashtme e Kinës ka njoftuar se zëvendëspresidenti Han Zheng do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Trumpit, si përfaqësues special i Xisë.

Trumpi i ka bërë ftesë të pazakontë presidentit kinez në dhjetor, por asnjë udhëheqës kinez nuk ka marrë pjesë më herët në inaugurimin e ndonjë presidenti të SHBA-së.

Në të kaluarën Trumpi ka lavdëruar marrëdhënien e tij me Xinë dhe ka sugjeruar që Kina mund të ndihmojë në ndërmjetësimin e krizave ndërkombëtare siç është lufta në Ukrainë.

Pekini dhe Washingtoni janë në garë të fortë ekonomike që nga mandati i parë i Trumpit, kur marrëdhëniet u bënë më konkurruese.

Presidenti Joe Biden ka vendosur ndalesa në shitjen e teknologjisë së avancuar në Kinë dhe ka vendosur tarifa të larta në veturat elektrike kineze.

Në telefonatën e të premtes, Xi i ka thënë Trumpit se dallimet janë të pashmangshme në mes të dy fuqive, por çelësi është “në respektimin e interesave kryesore të njëri-tjetrit dhe shqetësimet e mëdha dhe gjetjen e zgjidhjes së duhur”, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Kinës.

Xi e ka shtyrë Trumpin t’i qaset problemit të Tajvanit “me vëmendje” sepse është çështje për sovranitetin dhe integritetin e Kinës.

“Konfrontimi dhe konflikti nuk duhet të jetë opsion për dy vendet”, ka shtuar Xi.

Pekini e konsideron ishullin e Tajvanit si territor kinez dhe ka bërë thirrje për ta aneksuar me forcë nëse është e nevojshme. SHBA-ja është e detyruar me ligj të brendshëm t’i ofrojë ishullit pajisje dhe teknologji të mjaftueshme për të mbrojtur veten nga pushtimi i Kinës komuniste.

Në telefonatën e tyre, Xi i ka thënë Trumpit se qëllimi i tregtisë dhe vetë marrëdhënieve ekonomike në mes vendeve është “përfituese për të dyja palët”.

Liderët kanë ndarë qëndrimet për luftën në Ukrainë dhe luftën Hamas-Izrael dhe janë pajtuar për krijimin e “një kanali të komunikimit strategjik”, ka njoftuar media shtetërore kineze.