Botë

Trumpi e thërret Netanyahun për takim në Shtëpinë e Bardhë

Donald Trump, Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ftuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për një takim në Shtëpinë e Bardhë të martën e ardhshme, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e Netanyahut.

Netanyahu është lideri i parë i huaj që ftohet në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të dytë të Trumpit, thuhet në deklaratë.

Të dy udhëheqësit diskutuan për vizitën e Netanyahut në Uashington DC, gjatë një telefonate në ditët para inaugurimit të Trumpit më 20 janar, raporton CNN.

Ftesa e Trumpit për takim me Netanyahun vjen në kohën kur po zbatohet një armëpushim i brishtë ndërmjet Izraelit dhe Hamasit për luftën në Gaza.

Qindra mijëra palestinezë janë duke u kthyer në shtëpitë e tyre në veri të Gazës në ditën e dytë që kur atyre u është lejuar kalimi nga jugu.

Ndërkohë, të martën e ardhshme pritet të fillojnë negociatat për fazën e dytë të armëpushimit e cila parasheh lirimin e 60 pengjeve izraelite që po mbahen në Gaza për qindra të burgosur palestinezë në Izrael, dhe largimin e trupave izraelite nga Gaza.

Në fazën e parë të armëpushimit parashihet që të lirohen 33 pengje, mirëpo deri më tani janë liruar vetëm shtatë pengje në këmbim të 290 të burgosurve palestinezë që po mbaheshin në Izrael. 

LEXO EDHE: