Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump e ka ftuar presidentin kinez, Xi Jinping, që të marrë pjesë në inaugurimin e tij muajin e ardhshëm, kanë thënë burime të shumta për CBS Neës.
Zyrtarët e inaugurimit po bëjnë plane që personalitete të tjera të huaja të marrin pjesë në ceremoninë e betimit gjithashtu, raporton Reuters.
Trumpi e ka ftuar Xi-në në fillim të nëntorit, menjëherë pas zgjedhjeve, kanë thënë burimet, por nuk është e qartë nëse ai e ka pranuar ftesën.
Përveç Xi-së, ekipi i presidentit të zgjedhur ka ngritur mundësinë e pritjes së liderëve të tjerë në Kapitol më 20 janar.
“Udhëheqësit botërorë janë rreshtuar për t'u takuar me presidentin Trump sepse ata e dinë se ai së shpejti do të kthehet në pushtet dhe do të rivendosë paqen përmes fuqisë amerikane në mbarë globin”, ka thënë zëdhënësja e tranzicionit të Trumpit, Karoline Leavitt.
Anëtarët e rrethit të brendshëm të Trumpit janë kritikë të ashpër të qeverisë së Xi-së, duke përfshirë senatorin, Marco Rubio, të zgjedhurin e tij për të qenë sekretar i Shtetit dhe këshilltarin e ardhshëm të Sigurisë kombëtare, Mike Waltz.
Vetë Trumpi ka kërcënuar se do të rrisë tarifat për mallrat nga Kina. SHBA-ja ka vendosur një afat deri më 19 janar, në prag të inaugurimit, për kompaninë mëmë kineze të TikTok, ByteDance, që të shesë aplikacionin e mediave sociale ose të përballet me një ndalim në SHBA.
Por Trumpi ka besuar gjithashtu prej kohësh se marrëdhëniet e ngushta lider-me-lider janë çelësi për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Që nga dita e zgjedhjeve, liderët botërorë kanë shkuar në Mar-a-Lago për t'u takuar me Trump, duke përfshirë kryeministrin kanadez Justin Trudeau.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është lideri i parë botëror që priti Trumpin jashtë shtetit që kur ai fitoi zgjedhjet e vitit 2024. Të pranishëm në rihapjen e Katedrales së Notre Dame në Paris ishin edhe kryeministrja italiane Georgia Meloni, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky dhe princi William.
Trumpi ishte kryesisht i panjohur në skenën botërore në inaugurimin e tij të parë në vitin 2017. Këtë herë, liderët botërorë po e trajtojnë Trumpin në thelb si një president aktual.