Botë

Trumpi dëshiron ta imitojë Putinin, thotë ish-këshilltarja e tij

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Donald Trumpi dëshiron ta imitojë Vladimir Putinin dhe "të qeverisë vendin e tij në një mënyrë të ngjashme", ka thënë ish-këshilltarja e tij për Sigurinë Kombëtare, Fiona Hill.

Duke folur për "The World with Yalda Hakim" të Sky News, Hill ka thënë se presidentët e SHBA-së dhe Rusisë ndajnë të njëjtën pikëpamje për botën si "e ndarë mes tri fuqive të mëdha: Rusisë, SHBA-së dhe Kinës, me sfera shumë të qarta ndikimi".

Ajo ka thënë se të dy udhëheqësit "kanë pikëpamje tronditëse të ngjashme për botën".

"Kjo është hera e parë që ne kemi pasur një president të SHBA-së që dëshiron të imitojë liderin rus në një farë mënyre, i cili dëshiron të krijojë një presidencë hiper-personalizuar, i cili dëshiron të qeverisë në thelb vendin e tij në një mënyrë shumë të ngjashme, shumë nga lart poshtë pa asnjë kontroll dhe ekuilibër”, ka thënë ajo.

Hill ishte zëvendësasistente e presidentit dhe drejtoreshë e lartë për çështjet evropiane dhe ruse në stafin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Trumpit midis viteve 2017 dhe 2019 gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Fiona Hill

Ajo u emërua këshilltare e Mbrojtjes në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar pas zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2024.

Hill i ka thënë Sky News se Trumpi dëshiron të "rregullojë, normalizojë dhe rivendosë" marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë.

"Kjo është shumë e qartë, është e qartë që nga presidenca e parë e Trumpit”, është shprehur ajo. 

“Ai ka dashur gjithmonë të ulet me Vladimir Putinin dhe të zgjidhë të gjitha vështirësitë në marrëdhëniet dypalëshe, gjithçka nga çështjet bërthamore dhe reduktimi i armëve bërthamore...Ky nuk ishte drejtimi i udhëtimit të presidentëve të tjerë amerikanë. Pra, në fakt ka më shumë mundësi nën drejtimin e Trumpit për një marrëdhënie të ngushtë midis SHBA-së dhe Putinit”, ka deklaruar ajo.

Me të marrë mandatin e dytë, Trumpi ka nisur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke zhvilluar bisedime të paqes edhe me Rusinë, me të cilën fillimisht është dakorduar për rregullimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.