Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, ka intensifikuar politikën e tij të nativizmit dhe ksenofobisë të premten, duke bërë të ditur për një plan gjithëpërfshirës për të dëbuar venezuelianët për të cilët ai pretendon se kanë "infektuar" një qytet dikur paqësor në Kolorado.
Trumpi ka mbajtur të premten një tubim të fushatës në Aurora, në një skenë të mbushur me posterë që shfaqnin fotografi të njerëzve me uniforma burgu-portokalli me përshkrime që përfshinin "anëtarë të bandës së emigrantëve të paligjshëm nga Venezuela", raporton The Guardian.
"Unë po njoftoj sot se, me marrjen e detyrës, ne do të kemi një ‘Operacion Aurora’ në nivel federal për të përshpejtuar heqjen e këtyre bandave të egra", ka deklaruar Trumpi.
Ai është zotuar të përdorë “Aktin e armiqve të huaj”, një ligj i vitit 1798 që lejon presidentin të dëbojë çdo joshtetas nga një vend me të cilin SHBA-ja është në luftë.
“Ne do të dërgojmë skuadra elitare të Ice (Zbatimit të Emigracionit dhe Doganave), patrullës kufitare dhe oficerëve federalë të zbatimit të ligjit për të gjuajtur, arrestuar dhe deportuar çdo anëtar të fundit të paligjshëm të bandës së huaj derisa të mos mbetet asnjë në këtë vend,” ka shtuar ai.
Sipas tij, nëse ata kthehen në SHBA, do të vuajnë automatikisht 10 vjet burgim pa lirim me kusht.
“Unë po bëj thirrje për dënimin me vdekje për çdo migrant që vret një qytetar amerikan ose një oficer të zbatimit të ligjit. Me votën tuaj, ne do të arrijmë fitore të plotë dhe totale mbi këta përbindësha sadistë”, është shprehur Trumpi.
Kolorado nuk është një shtet beteje mes republikanëve dhe demokratëve teksa duket se shteti do të votojë për rivalen demokrate tw Trumpit, Kamala Harris.
Aurora, një qytet me rreth 340,000 banorë pranë Denverit, u përfol shumë në muajin gusht kur qarkulloi një video që tregonte burra të armatosur duke ecur nëpër një ndërtesë banimi, ku strehoheshin emigrantë venezuelianë.