Kongresi ka certifikuar Donald Trumpin si fitues i zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në nëntorin e vitit 2024, në një proces të zhvilluar të hënën e ku nuk pati kundërshtime, raporton agjencia "AP".
Ishte krejt ndryshe nga 6 janari i vitit 2021, kur shpërtheu dhuna në Kapitol ndërsa përkrahësit e Trumpit tentonin ta ndalnin certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të cilat i kishte fituar Joe Biden.
Ligjvënësit u mblodhën të martën nën masa të rrepta sigurie dhe në një moment kur SHBA-ja është përfshirë nga stuhia dimërore, për ta kryer obligimin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Gjithë procesi u krye me shpejtësi dhe pa trazira. Por 6 janari i vitit 2021 lë një fakt të jashtëzakonshëm: kandidati që tentoi të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, fitoi këtë herë dhe po kthehet legjitimisht në pushtet.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris, që drejtoi këtë proces të certifikimit, lexoi bilancin, duke e konfirmuar humbjen e saj. Ajo ishte kundërkandidate e Trumpit në zgjedhjet e nëntorit.
Pati duartrokitje të mëdha, së pari nga republikanët për 312 vota elektorale të fituara nga Trumpi, e më pastaj nga demokratët për 226 të fituara nga Harrisi.
Procesi u krye në më pak se gjysmë ore.
Por, ndërsa ligjvënësit u mblodhën, rrethojat e gjata të zeza që përshkojnë kompleksin e Kongresit të SHBA-së, janë një kujtesë e zymtë e asaj që ndodhi katër vjet më parë, kur Trumpi i mundur dërgoi turmën e tij për të “luftuar” në atë që u bë sulmi më i tmerrshëm në selinë e demokracisë amerikane.
Republikanët që sfiduan rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, kur Trump humbi nga demokrati Joe Biden, tash shprehin besim më të madh në zgjedhjet në SHBA, pasi Trumpi e mposhti Harrisin.
E demokratët e frustruar nga fitorja e Trumpit, prapë pranuan zgjedhjen e votuesve amerikanë. Lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, tha se ana e tij “nuk është e infektuar” me mohues të zgjedhjeve.
Një nga një, rezultatet e secilit shtet u lexuan me zë të lartë. Zëvendëspresidenti i sapozgjedhur JD Vance, iu bashkua ish-kolegëve të tij dhe mori urime të shumta.
E Trump në rrjetin e tij social tha se Kongresi po certifikon një fitore “të madhe” zgjedhore dhe e ka quajtur “një moment të madh në histori”.
Trump vazhdon të mohojë se ka humbur katër vjet më parë, ndërsa ka premtuar se do t’i falë disa prej më tepër se 1250 personave që janë deklaruar fajtorë apo janë dënuar për krime për sulmin në Kapitol.
Inaugurimi i Donald Trumpit do të bëhet më 20 janar, ndërsa për të do të jetë mandati i dytë. Ai kishte fituar mandatin e parë në vitin 2016.