Botë

Trumpi bëri presion për moscertifikim të zgjedhjeve në Michigan

Donald Trump

Telefonata e 17 nëntorit 2020 përfshinte Trumpin, kryetaren e Komitetit Kombëtar të Republikanëve, Ronna McDaniel dhe udhëheqësit zgjedhorë të qytetit Wayne, Monica Palmer dhe William Hartman, të dy republikanë, ka raportuar Detroit News. Trumpi u kishte thënë dy zyrtarëve se do të dukeshin “të tmerrshëm’ nëse do të certifikonin rezultatet pasi fillimisht kishin kundërshtuar këto rezultate.

Donald Trumpi u ka bërë presion dy zyrtarëve të zgjedhjeve që të mos certifikonin totalin e votave të vitit 2020 në një qytet kyç në Michigan, ka raportuar të premten Detroit News, duke publikuar thirrjet telefonike pas zgjedhjeve presidenciale.

Ekipi i fushatës së ish-presidentit nuk ka konfirmuar as mohuar legjitimitetin e incizimeve, duke insistuar se veprimet e Trumpit pas humbjes së tij karshi demokratit Joe Biden ishin bërë në përputhje me betimin e tij dhe për t’u siguruar për zgjedhje fer.

Trumpi vazhdimisht ka deklaruar se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara teksa po bën përpjekje që të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Edhe pas hetimeve federale nuk është gjetur asnjë provë për manipulimin e votave që do të kishte ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Telefonata e 17 nëntorit 2020 përfshinte Trumpin, kryetaren e Komitetit Kombëtar të Republikanëve, Ronna McDaniel dhe udhëheqësit zgjedhorë të qytetit Wayne, Monica Palmer dhe William Hartman, të dy republikanë, ka raportuar Detroit News. Trumpi u kishte thënë dy zyrtarëve se do të dukeshin “të tmerrshëm’ nëse do të certifikonin rezultatet pasi fillimisht kishin kundërshtuar këto rezultate.

Gazeta ka shkruar se incizimet ishin bërë nga një person, i cili ishte prezent për thirrjen me Palmerin dhe Hartmanin.

Publikimi i këtyre incizimeve telefonike është bërë në kohën kur Trumpi po bën përpjekje të bëhet kandidat i republikanëve për zgjedhjet presidenciale teksa do të gjykohet për disa akuza, përfshirë rastin federal dhe rastin e Georgias të lidhur me përpjekjet e tij për të zhbërë fitoren e Bidenit. Kur po bën fushatë për kthim në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka vazhduar të përsërisë gënjeshtrat se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të vjedhura, ani pse ka shumë raporte gjyqësore që konfirmojnë humbjen e tij.

Bideni arriti të fitonte Michiganin me Wayne Countyn, që përfshin Detroitin. Fitoi bindshëm dhe Wayne County ishte një prej vendeve në të cilat Trumpi ishte i përqendruar për fitore.

“Duhet të luftojmë për vendin tonë”, dëgjohej Trumpi në këto incizime. “Nuk mund të lejojmë këta njerëz që të na marrin vendin tonë”.

Steven Cheung, zëdhënës i Trumpit, ka thënë se veprimet e shefit të tij ishin në përputhje me detyrat e tij si president i SHBA-së dhe që janë kujdesi për ligjet dhe integriteti i zgjedhjeve.

“Presidenti Trump dhe amerikanët kanë të drejtë kushtetuese për zgjedhje të lira dhe korrekte”, ka thënë Cheung.

Telefonata e raportuar në Michigan besohet se ka ndodhur rreth gjashtë javë përpara telefonatës tjetër mes Trumpit dhe sekretarit të shtetit të Georgias, Brad Raffensperger. Kjo bisedë është ndër pikat kyç në aktakuzën ndaj Trumpit, me të cilën ai akuzohet për skemë shantazhi për të përmbysur fitoren e ngushtë të Bidenit në Georgia.

“Unë thjesht dua të gjej 11,780 vota, që i bie për një më shumë”, i kishte thënë Trump Raffensperger në atë telefonatë. “Sepse ne fituam shtetin”.

Shteti i Georgias numëroi votat tri herë para se të konfirmonte fitoren e Bidenit me diferencë prej 11,779 votash.