Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump ka konfirmuar se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë të premten për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e rralla dhe për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta, ka raportuar “CNN”.
“Jemi duke bërë shumë mirë me Rusinë dhe Ukrainën, presidenti Zelensky do të vijë të premten, është e konfirmuar tani, dhe do të nënshkruajmë marrëveshjen”, ka deklaruar Trumpi.
“Kemi qenë në gjendje të bëjmë një marrëveshje ku ne do të rimarrim paratë tona dhe do të marrim shumë para në të ardhmen, mendoj se kjo është e përshtatshme”, ka shtuar ai.
Trumpi ka deklaruar se administrata e tij është “e lumtur” për marrëveshjen, e cila mund t’i garantoj SHBA-së qasje në mineralet e rralla të Ukrainës si pjesë e negociatave më të gjera për të ndaluar pushtimin rus, si dhe përfshirjen e SHBA-së në financimin e rindërtimit të Ukrainës.
Trump: Do të vendos tarifa 25% ndaj BE-së, blloku ishte krijuar për ta dëmtuar SHBA-në
Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa 25% ndaj vendeve të Bashkimit Evropian (BE), duke thënë se blloku ishte krijuar për ta dëmtuar SHBA-në, ka raportuar “The Guardian”.
Gjatë takimit të parë të kabinetit të mërkurën, presidenti i SHBA-së ka deklaruar se shumë shpejt ai do t’i publikojë detajet rreth paralajmërimeve të fundit për tarifa. “E kemi marrë vendimin dhe ne do të ju njoftojmë shumë shpejt, do të jetë 25%”, ka shtuar ai.
BE-ja është partneri i tretë më i madh tregtar i SHBA-së bashkë me Kinën. Trumpi ka deklaruar se javën e ardhshme do të vendos tarifa 25% ndaj dy partnerëve më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës.
Ai nuk ka dhënë më shumë detaje, por ka përmendur prodhuesit e veturave dhe ka deklaruar se taksat mund të aplikohen “në mënyrë të përgjithshme”.
Trump: S’jap garanci të sigurisë për Ukrainën “më shumë se shumë”, Evropa do ta bëjë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se ai nuk do të japë “garanci të sigurisë për Ukrainën më shumë se shumë”, duke sugjeruar që vendet evropiane duhet ta marrin atë përgjegjësi, pasi ato janë më afër.
“Nuk do të bëj garanci të sigurisë më shumë se shumë, Evropa do ta bëjë atë, Evropa është fqinji i tyre më i afërt, por ne do të sigurohemi që çdo gjë shkon mirë, dhe siç e dini, ne do të bëjmë një partneritet me Ukrainën, rreth mineraleve të rralla, ne kemi nevojë të madhe për mineralet e rralla”, ka deklaruar Trumpi gjatë takimit të kabinetit të tij, raporton CNN.
Trumpi ka shtuar se Sekretari i Brendshëm Doug Burgum dhe Sekretari i Energjisë Chris Wright do të “punojnë së bashku për atë”.
“Marrëveshja që ne po bëjmë, do na bjerë pasuri të madhe, ne marrim paratë që kemi shpenzuar, dhe shpresojmë se ne do të jemi në gjendje të përfundojmë këtë”, ka shtuar Trumpi.
Trumpi s’deklarohet nëse SHBA-ja do të parandalonte Kinën ta merrte Tajvanin me forcë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka refuzuar të deklarohet të mërkurën nëse administrata e tij do të parandalonte Kinën që të marrë Tajvanin me forcë. Ai iu ka thënë raportueseve gjatë takimit të kabinetit të tij se “unë nuk komentoj kurrë mbi atë – unë nuk komentoj në asgjë, sepse nuk dua ta vendos veten në atë pozicion”.
“Edhe nëse do e thosha, me siguri nuk do ua thosha juve, do t’i thosha tjetër kujt, ndoshta njerëzve rreth kësaj tavoline, njerëz të veçantë rreth kësaj tavoline”, ka shtuar Trumpi, duke iu referuar zyrtarëve të kabinetit të tij, ka raportuar “CNN”.
Komentet e Trumpit kanë ardhur pasi Kina ka akuzuar administratën e Trumpit për “rënie të madhe” në pozicionin e administratës mbi Tajvanin, pasi Departamenti i Shtetit më herët gjatë muajit e ka hequr një shkrim nga webfaqja e tij ku shkruante se SHBA-ja nuk e mbështet pavarësinë e Tajvanit.
Por gjatë javës së kaluar, Departamenti i Shtetit përsëri ka vendosur një shkrim që shkruan se “ne nuk mbështesim pavarësinë e Tajvanit”, duke përsëritur një pozicion që Washingtoni e ka mbajtur për një kohë të gjatë.
Trumpi thotë se Putini do të bëjë lëshime në negociatat për Ukrainën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin “do të duhet të bëjë lëshime” në negociatat për të përfunduar luftën në Ukrainë, ka raportuar “CNN”.
Por ai ka mohuar të tregojë se çfarë lëshimesh do të jenë.
“Po ai do të bëjë, ai do të duhet të bëjë, dhe mendoj, dhe e besoj sepse ne jemi zgjedhur, se lufta do të vijë drejt fundit, dhe po ashtu besoj se nëse nuk do të ishim zgjedhur, nëse kjo administratë nuk do t’i fitonte zgjedhjet me diferencë të madhe, ajo luftë do të zgjaste shumë, dhe ai do të donte të merrte të gjithën”, ka deklaruar Trumpi.
I pyetur se çfarë lëshimesh duhet të bëjë presidenti rus, Trumpi është përgjigjur se “unë nuk dua të ta them tani”.
Por ai ka komentuar aspiratat e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO.
“Por mund të ju them, ju duhet të harroni NATO-n”, ka deklaruar Trumpi.