Me gjithë dallimet dhe konfliktet, dihet se dy liderët projektojnë një lloj nacionalizmi për vendet e tyre. Ëndrra e Xi-së është “përtëritja e madhe e kombit kinez” dhe Trumpi beson se vetëm ai mund ta “bëjë Amerikën të madhe përsëri”. Të dy premtojnë se po punojnë drejt një epoke të re të artë
Për shumë njerëz në Kinë, Donald Trumpi është figurë argëtuese dhe memet e tij shpërndahen gjerësisht në mediet sociale. Ka të tjerë që shqetësohen dhe mendojnë se ai është shumë i paparashikueshëm.
“Më pëlqen Trumpi, por ai është i paqëndrueshëm. Kush e di se çfarë mund të bëjë?” thotë një pensionist 74-vjeçar nga Kina.
Disa nga nominimet për kabinetin e Trumpit – të shpallura që kur ai i fitoi zgjedhjet presidenciale – pa dyshim se do t’i bëjnë njerëzit edhe më të kujdesshëm.
Marco Rubio, i zgjedhuri i tij për postin e sekretarit të Shtetit, e ka quajtur Pekinin “kërcënimin që do ta përcaktojë këtë shekull”. Ai është i sanksionuar nga Pekini. E Mike Waltz, i nominuari i Trumpit për Këshilltar të Sigurisë Kombëtare, shkroi në fillim të këtij muaji se SHBA-ja duhet “urgjentisht” t’u japë fund konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, në mënyrë që “më në fund të përqendrojë vëmendjen e strategjisë aty ku duhet të jetë: kundërvënia ndaj kërcënimit më të madh nga Partia Komuniste Kineze”.
Por Kina ka qenë duke u përgatitur për një mandat të dytë të Trumpit, thotë Yu Jie, studiuese e lartë për Kinën në “Chatham House”, institut kërkimor me seli në Londër.
Me gjithë shqetësimin për qeverisjen e Trumpit, ajo thotë se kthimi i tij nuk është “i papritur” për Pekinin.
Paralajmërimi i Pekinit për “luftë të ftohtë”
Konkurrenca midis dy kombeve është rritur, shumë kohë përpara se Trumpi t’i fitonte zgjedhjet. Ajo u tensionua veçanërisht gjatë administratës së Joe Bidenit, për shkak të tarifave dhe mosmarrëveshjeve gjeopolitike, duke filluar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia deri te e ardhmja e Tajvanit.
Megjithatë, pati dialog.
Presidenti kinez, Xi Jinping, është zotuar të punojë me administratën e ardhshme të Trumpit, por ai gjithashtu përdori takimin e tij të fundit me presidentin Joe Biden për ta paralajmëruar Uashingtonin se “s’duhet të bëhet një luftë e re e ftohtë dhe se ajo s’mund të fitohet”.
Pekini ka akuzuar prej kohësh SHBA-në dhe aleatët e saj se po përpiqen ta frenojnë Kinën. I sheh tarifat që synojnë importet e prodhuara nga Kina dhe aleancat ushtarake në Detin e Kinës Jugore dhe më gjerë, si pjesë e kësaj qasjeje.

Dhe vendimi i Trumpit për t’i zgjedhur Rubion dhe Waltzin si pjesë të kabinetit të tij, sugjeron që administrata e tij “do të ketë qasje shumë më të ashpër me Kinën”, thotë Lyle Morris nga “Qendra e Shoqërisë Aziatike”.
“Derisa Trumpi e sheh marrëdhënien e tij personale me Xi Jinping si një rrugë për negociata, ai ka të ngjarë të mbështetet te Waltzi dhe Rubio për të krijuar një politikë më agresive dhe pa kompromis ndaj Kinës”.
Ata nuk janë të vetmit zëra në Uashington që e shohin Kinën si kërcënim për sigurinë e SHBA-së dhe ekonominë e saj.
Nga faji për COVID-in deri te konkurrenca bërthamore
Në veri të Tempullit të Parajsës në Pekin ndodhet Qyteti i Ndaluar, ku perandorët kinezë jetuan për gati 500 vjet. Pikërisht këtu, në vitin 2017, Xi priti Trumpin, duke e nderuar në atë formë që nuk ishte parë asnjëherë ndaj ndonjë presidenti amerikan që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës.
Xi mbylli zonën dhe e çoi Trumpin në një turne në lagjet perandorake. Çdo moment i këtij takimi transmetohej drejtpërdrejt në televizionin shtetëror.
Ky takim u cilësua nga të dyja palët si një pikë e lartë në marrëdhëniet SHBA-Kinë, por u përkeqësua shpejt pas shpërthimit të pandemisë COVID në Wuhan në vitin 2019, e cila u përhap në gjithë botën në 2020-ën. Trumpi e quajti vazhdimisht atë si “virusi kinez” dhe fajësoi Pekinin për shpërthimin e pandemisë. Ai gjithashtu nisi një luftë tregtare, me tarifa të larta ende në fuqi, për më shumë se 300 miliardë dollarë mallra.
Kur Trumpi ta marrë zyrtarisht detyrën dhe të fillojë qeverisjen e mandatit të tij të dytë, ai do të ndeshet me një Xi më të fortë, i cili ka skalitur pozicionin e tij në krye të Kinës me mandatin e tretë historik dhe mundësinë për të mbetur në pushtet për gjithë jetën.
Duke qenë se ka ushtrinë dhe marinën më të madhe në botë, Uashingtoni tani është i shqetësuar se vendi po ndërton një arsenal më të madh bërthamor.
Edhe gjatë kohës sa Trumpi po tregonte të zgjedhurit e kabinetit të tij të ri, media shtetërore kineze publikonte video nga shfaqja më e madhe ajrore në vend, të një aeroplani të ri luftarak “stealth” “J25-A”. Kina është vendi i dytë që mburret me dy aeroplanë “stealth” në inventarin e saj. Tjetri është SHBA-ja.
Javën e kaluar, Instituti “Middlebury”, shfaqi imazhe satelitore që tregojnë se Kina po punon në fushën e armëve bërthamore, për një aeroplanmbajtëse të re.
Studimet “kanë ngjallur shqetësime serioze për miratimin e mundshëm të një strategjie të përdorimit të këtyre armëve dhe shtimin e kërcënimeve bërthamore”, thotë Tong Zhao nga grupi i ekspertëve të “Carnegie Endowment for International Peace”.
“Nëse Trumpi nuk ndërhyn personalisht, gjë që duket e pamundur, duket se të dyja vendet janë në prag të një konkurrence shumë më intensive bërthamore me implikime të gjera për stabilitetin ndërkombëtar”.
Çështja e Tajvanit
Nën udhëheqjen e Xi-së, vitet e fundit, Kina ka shfaqur edhe më shumë siguri në pretendimet e saj territoriale mbi Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.
Një shqetësim është se Pekini po përparon ushtarakisht për ta pushtuar Tajvanin, të cilin e sheh si provincë të shkëputur që përfundimisht do të jetë nën kontrollin e tij. Nën Trumpin dhe kabinetin e tij, a do të ishte SHBA-ja e gatshme ta mbronte Tajvanin?
Është një pyetje që i bëhet çdo presidenti amerikan. Trumpi e ka shmangur atë, duke thënë se nuk do t’i duhej ta përdorte forcën ushtarake, sepse Xi e dinte se ishte “i çmendur” dhe ai do të vendoste tarifa paralizuese për importet kineze nëse kjo ndodh.
Pavarësisht mosgatishmërisë së Trumpit për të marrë pjesë në luftërat e huaja, shumica e ekspertëve presin që Uashingtoni të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Tajvanin. Së pari, është e detyruar me ligj t’i shesë armë mbrojtëse ishullit. Së dyti, administrata e Trumpit i shiti Tajvanit më shumë armë se çdo administratë tjetër amerikane.
“Ka mbështetje të fortë dypartiake për vazhdimin e ndihmës ushtarake për Tajvanin. Unë nuk pres që Trumpi ta ndryshojë ndjeshëm kursin për shitjen e armëve në Tajvan”, tha Morris.
Çfarë mendon në të vërtetë Trumpi për Xi-në?
Nëse lëmë mënjanë këto dallime të dukshme, Trumpi duket se e admiron imazhin e njeriut të fortë që Xi paraqet.
Në vitin 2020, edhe në kohën e luftës së ashpër tregtare me Kinën, Trumpi deklaroi se ai dhe Xi Jinping “e duan njëri-tjetrin”.
“Kam pasur një marrëdhënie shumë të fortë me të”, konfirmoi ai në një intervistë të fundit me “Wall Street Journal”.

Është e vështirë të dihet se çfarë mendon Xi. Ai ka folur shumë pak për marrëdhënien e tyre dhe mezi e përmend Trumpin me emër.
Por, ajo që dimë është se të dy liderët projektojnë një lloj nacionalizmi. Ëndrra e Xi-së është “përtëritja e madhe e kombit kinez” dhe Trumpi beson se vetëm ai mund ta “bëjë Amerikën të madhe përsëri”. Të dy premtojnë se po punojnë drejt një epoke të re të artë për vendet e tyre.
“Epoka e artë” e Trumpit për Amerikën përfshin tarifa prej 60% për mallrat e prodhuara nga Kina.
Por Pekini nuk është në disponim për një luftë të dytë tregtare. Ka hallet e veta.
Një ekonomi e ngadaltë kundrejt faktorit Musk
Ëndrra e presidentit Xi për prosperitet është në rrezik. Zhvillimi i ekonomisë së Kinës është i ngadaltë, sektori i saj i pronave po fundoset, gati 20% e të rinjve të saj po luftojnë për të gjetur punë dhe ajo ka një nga popullsitë më të moshuara në botë.
E ardhmja e saj dhe e ardhmja e ekonomisë së Kinës mund të varen pjesërisht nga fakti se sa serioz është Trumpi për tarifat e tij. Këtë herë, Pekini është i përgatitur, sipas Yu Jie.
“Kina tashmë ka filluar të variojë burimet e saj të importeve bujqësore (veçanërisht nga Brazili, Argjentina dhe Rusia) dhe ka rritur vëllimet e eksporteve të saj në vendet joaleate me SHBA-në. Në nivel të brendshëm, rikapitalizimi i fundit i borxhit të Qeverisë vendore po hap gjithashtu rrugën për t’i kompensuar ndikimet negative në luftën e mundshme tregtare me administratën e Trumpit”.
Pekini mund të ketë gjithashtu edhe një shpresë tjetër. Miliarderi Elon Musk është mbështetës i madh i Trumpit. Kompania e tij, Tesla, varet nga Kina për prodhim - rreth gjysma e të gjitha automjeteve elektrike të saj prodhohen në Kinë. Udhëheqësit kinezë mund të pyesin nëse Musku mund t’i zbusë impulset tregtare të Trumpit.
Por, lufta e madhe për pushtet në shekullin XXI nuk është vetëm mbi tregtinë. Ëndrra e Xi-së është gjithashtu që ta bëjë Kinën fuqi dominuese të botës.
Vendi i Kinës në skenën botërore
Joe Bideni kaloi katër vjet duke krijuar miqësi në të gjithë Azinë, me Korenë e Jugut, Japoninë, Filipinet dhe Vietnamin - të gjitha në një përpjekje për ta frenuar Kinën.
Në të kaluarën, doktrina “Amerika e Para” e Trumpit, i izoloi dhe dobësoi këto aleanca amerikane. Ai zgjodhi marrëveshjet mbi diplomacinë delikate dhe shpesh vendosi çmim për miqësitë e Amerikës. Në vitin 2018, për shembull, ai kërkoi më shumë para nga Koreja e Jugut për të vazhduar qëndrimin e trupave amerikane në vend.
Pekini tashmë ka krijuar aleanca me ekonomitë në zhvillim. Ai po përpiqet gjithashtu t’i riparojë marrëdhëniet e tij me Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën, derisa provon t’i shqyrtojë ankesat historike me fqinjët aziatikë, Korenë e Jugut dhe Japoninë.
Nëse ndikimi i Uashingtonit në tërë botën dobësohet, kjo mund të jetë një fitore për presidentin Xi.