Botë

Trump thotë se “Krimea do të qëndrojë me Rusinë”

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar në një intervistë për “Time Magazine” se Krimea “do të qëndroj me Rusinë” si pjesë e negociatave për paqe me Ukrainën, ka raportuar “AP”. 

Trump të mërkurën pati akuzuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për stërzgjatje të luftës duke refuzuar ta dorëzojë gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme. 

“Zelensky e kupton atë. Dhe të gjithë e kuptojnë që kjo ka qenë me ta për një kohë të gjatë”, ka shtuar Trump rreth situatës së Krimesë, të cilën Rusia në vitin 2014 në mënyrë të paligjshme e kishte aneksuar. 

“Ata i kanë pasur nëndetëset e tyre aty për shumë kohë më parë (rusët) periudhave që po flasim ne, për shumë vite. Njerëzit, shumica flasin rusisht në Krime. Por ajo ishte dhënë nga Obama. Ajo nuk ishte dhënë nga Trumpi”, ka shtuar presidenti amerikan. 

Zelensky ka përsëritur disa herë gjatë luftës se njohja e territoreve të okupuara si ruse është vijë e kuqe për vendin e tij, dhe se ajo është kundër Kushtetutës së Ukrainës.