Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të enjten se raporti i tij me religjionin ka “ndryshuar” pas atentateve të dështuara për ta vrarë në vitin e kaluar, duke iu bërë thirrje amerikanëve në Lutjen Kombëtare të Mëngjesit në Kapitol që “të kthejnë Zotin në jetët e tyre”.
Trumpi iu bashkua një tradite më shumë se 70-vjeçare që bashkon grupimet dypartiake të ligjvënësve amerikanë. Ai do të flasë gjithashtu edhe në një ngjarje tjetër të lutjeve në një hotel në Washington që sponsorizohet nga një grup privat.
“Unë me të vërtetë besoj se nuk mund të jesh i lumtur pa religjion, pa besim”, ka deklaruar Trump. “Le ta rikthejmë religjionin përsëri. Le ta rikthejmë Zotin në jetët tona”.
Trumpi reflektoi mbi atentatin e dështuar ndaj tij vitin e kaluar në Butler, Pensilvani, duke ju thënë ligjvënësve dhe pjesëmarrësve se “ajo ngjarje ndryshoi diçka tek unë”.
“Ndihem akoma më i fortë”, ka vazhduar ai. “Unë besoj në Zot, por unë ndihem, unë ndihem më i fortë në lidhjen time me Zotin. Diçka ka ndodhur”.
Ai shkaktoi të qeshura duke shprehur mirënjohje që ndodhia “nuk kishte dëmtuar flokët e tij”.
Trumpi dhe administrata e tij kanë pasur mospajtime me liderët fetarë, përfshirë këtu përplasjen me peshkopen Mariann Budde ditën pas inaugurimit, kur ajo bëri thirrje për mëshirë ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTQ+ dhe imigrantëve ilegalë.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili është katolik, ka debatuar me udhëheqësit kryesorë të kishës në SHBA për çështjet e emigracionit.
Dwight D. Eisenhower kishte qenë presidenti i parë që mori pjesë në lutjet e mëngjesit, në shkurt të vitit 1953, dhe çdo president pas tij kishte folur në këto organizime.
Në 2023, Lutja Kombëtare e Mëngjesit u nda në dy ngjarje. Njëra mbahet në Capitol Hill me pjesëmarrje masive prej ligjvënësve dhe zyrtarëve qeveritarë dhe një ngjarje tjetër është private për mijëra të ftuar në një sallë vallëzimi. Ndarja ndodhi për shkak se ligjvënësit amerikanë kërkuan të distancoheshin prej grupeve private fetare që për dekada kishin kontrolluar ngjarjen më të madhe, duke ngritur pikëpyetje rreth çështjeve të organizimit dhe mënyrës së financimit.
Në vitin 2023 dhe 2024, presidenti amerikan Joe Biden, mbajti fjalim në ngjarjen e Capitol Hillit, me deklaratat e tij që u transmetuan në kohë reale edhe në ngjarjen tjetër.