Donald Trump ka folur në një prej ngjarjeve më të mëdha vjetore të kriptovalutave se nëse zgjidhet president i SHBA-së ai do ta shkarkojë kryesuesin e Komisionit të Sigurisë dhe Këmbimit në SHBA në ditën e parë në detyrë, raporton “BBC”.
Trump ishte folësi kryesor në “Bitcoin 2024” të shtunën, një tubim i të mëdhenjve të kriptovalutave në Nashville.
Kandidati presidenciale për zgjedhjet e nëntorit në SHBA ka përdorur ngjarjen për të bërë fushatë dhe ka inkurajuar që të bëhen donacione për fushatën e tij nga ky komunitet.
Kriptovalutat janë bërë një fushëbetejë e re për republikanët, ku Trump po pretendon se zëvendëspresidentja Kamala Harris, që pritet të jetë kandidate demokrate për zgjedhjet presidenciale, është kundër “kriptove”.
Trump ka thënë se nëse rizgjidhet në ditën e parë në detyrë do ta shkarkojë kryesuesin e SEC-it, Gary Gensler, që është emëruar nga presidenti aktual Joe Biden.
Adhuruesit duartrokitën e brohoritën me të madhe.
Gensler ka udhëhequr forcimin e rregullave ndaj industrisë së kriptovalutave. Trump tha se SHBA-ja duhet të kthehet në kryeqendër të kriptovalutave.