Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është "i përkushtuar për të blerë dhe zotëruar" Rripin e Gazës dhe po ashtu bërë të bërë zhvendosjen e dy milionë palestinezëve që jetojnë atje, pavarësisht se plani i tij është dënuar në masë globale.
Ai u ka thënë gazetarëve gjatë udhëtimit të tij për në “Super Bowl” të dielën se mund të lejonte që vendet e Lindjes së Mesme të përfshiheshin në rindërtimin e pjesëve të territorit dhe se do të sigurohej që refugjatët palestinezë të "jetojnë bukur", raporton BBC.
"Unë jam i përkushtuar për të blerë dhe zotëruar Gazën. Për sa i përket rindërtimit të saj, ne mund t'ua japim atë shteteve të tjera në Lindjen e Mesme për të ndërtuar pjesë të saj. Të tjerë mund ta bëjnë këtë nëpërmjet kujdesit tonë. Por ne jemi të përkushtuar ta zotërojmë atë, ta marrim dhe të sigurohemi që Hamasi të mos kthehet prapa", ka deklaruar ai pa shpjeguar se nga kush do ta blinte Gazën dhe si SHBA-ja do ta zotëronte Gazën.
Si Autoriteti Palestinez ashtu edhe grupi i armatosur Hamas, lufta 16-mujore e të cilit me Izraelin ka shkaktuar shkatërrim të gjerë në Gaza, përsëritën se toka palestineze "nuk ishte në shitje".
Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka vlerësuar propozimin e Trumpit si "revolucionar dhe krijues".
Deklarata e Trumpit vjen tri javë pas fillimit të zbatimit të një armëpushimi të brishtë në Gaza, gjatë së cilit Hamasi ka liruar disa nga pengjet izraelitë që po mban në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Ushtria izraelite nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të një sulmi të paprecedentë ndërkufitar më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng.
Më shumë se 48,180 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit të Hamasit.
Shumica e popullsisë së Gazës gjithashtu është zhvendosur disa herë, pothuajse 70% e ndërtesave vlerësohet të jenë të dëmtuara ose të shkatërruara, sistemet e kujdesit shëndetësor, ujit, kanalizimeve dhe higjienës janë shembur, dhe ka mungesë të ushqimit, karburantit, ilaçeve dhe strehimit.
Trumpi ka thënë se njerëzit nga e gjithë bota do të jenë në gjendje të lëvizin në Gaza dhe premtoi të "kujdeset për palestinezët".
"Ne do të sigurohemi që ata të jetojnë bukur, në harmoni dhe paqe dhe që të mos vriten. Ata nuk duan të kthehen në Gaza. Ata kthehen vetëm sepse nuk kanë alternativë”, ka shtuar ai.
Presidenti gjithashtu ka shprehur përsëri besimin se ai mund t'i bindë Egjiptin dhe Jordaninë fqinje për të ndihmuar, pavarësisht refuzimeve të mëparshme publike të kërkesave të tij për të pranuar refugjatë nga Gaza.
Mbreti Abdullah i Jordanisë do të takohet me Trumpin në Washington të martën, ndërsa presidenti i Izraelit ka thënë se Trumpi do të zhvillojë gjithashtu bisedime me presidentin egjiptian Abdul Fattah al-Sisi dhe Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman në ditët në vijim.