Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të premten në një konferencë për shtyp se po ka vështirësi të merret me Ukrainën, gjersa ka shtuar se arritja e një marrëveshjeje finale është më e lehtë me Rusinë, sepse ata i kanë të gjitha kartat, raporton BBC.
“Unë mendoj se ne po ia dalim shumë mirë me Rusinë. Por, për momentin ata janë duke bombarduar pa mëshirë Ukrainën”, ka thënë Trump.
Presidenti amerikan ka pritshmëri për takimin e javës së ardhshme midis delegacionit amerikan dhe delegacionit ukrainas në Arabinë Saudite, teksa ka shtuar se po mundohet t’i ndihmojë Ukrainës, por ka bërë thirrje se Ukraina “ta përfundojë punën”.
Presidenti amerikan ka thënë se mendon që presidenti rus, Vladimir Putin po e bën atë “që secili nga ne do ta bënte” dhe se ai dëshiron t’i japë fund kësaj lufte.
Ai ka shtuar se Ukraina po merr dënim të jashtëzakonshëm, por është i pasigurt nëse Kievi zyrtar dëshiron me të vërtetë t’i japë fund konfliktit – “unë mendoj se ata duan, megjithëse nuk e kam të qartë”.
I pyetur në lidhje me mungesën e planit të paqes nga vendet evropiane, Trumpi ka thënë se “ndonjëherë ka pyetje që nuk mund t’iu japësh përgjigje”.
“Ata (vendet evropiane) nuk dinë se si t’i japin fund luftës”, ka shtuar ai.
Ditë më parë, Trumpi e përzuri nga takimi në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas përplasjeve që patën para mediave.