Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump ka thënë të dielën se Rusia nuk ishte e interesuar të mbronte presidentin sirian, Bashar al-Assad, duke e detyruar atë të largohej nga vendi.
Assad është larguar nga Siria në një vend të panjohur pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e kryeqytetit Damaskun herët të dielën.
Kjo erdhi pothuajse një javë pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e Aleppos, një qytet i madh në Sirinë veriore.
“Assad është zhdukur. Ai ka ikur nga vendi i tij. Mbrojtësi i tij, Rusia, e udhëhequr nga Vladimir Putin, nuk ishte e interesuar ta mbronte më atë”, ka thënë Trump në një postim në rrjetin "Truth Social".
“Nuk kishte asnjë arsye që Rusia të ishte atje në radhë të parë. Ata humbën çdo interes për Sirinë për shkak të Ukrainës, ku rreth 600,000 ushtarë rusë janë të plagosur ose të vdekur, në një luftë që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe që mund të vazhdonte përgjithmonë”, ka shtuar ai.
Trumpi ka thënë po ashtu se lufta ruse në Ukrainë ka dobësuar Rusinë dhe Iranin.
"Rusia dhe Irani janë në një gjendje të dobësuar tani, njëra për shkak të Ukrainës dhe ekonomisë së keqe, tjetra për shkak të Izraelit dhe suksesit të tij luftarak”, është shprehur presidenti i ardhshëm i SHBA-së.
Trump bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë për t'i dhënë fund konfliktit atje.
“(Presidenti ukrainas Volodymyr) Zelensky dhe Ukraina do të donin të bënin një marrëveshje dhe të ndalonin çmendurinë. Duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm dhe negociatat duhet të fillojnë," tha ai.
Trump i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të veprojë me vendosmëri për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
"Unë e njoh mirë Vladimirin. Është koha e tij për të vepruar. Kina mund të ndihmojë. Bota po pret!", ka thënë ai.
