Kryeministri kanadez Justin Trudeau hodhi poshtë idenë e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se mund ta përdorte “forcën ekonomike” për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së.
“Shanset që Kanadaja të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara janë aq sa shanset e një topi bore në ferr. Punëtorët në të dy vendet tona përfitojnë nga të qenit partnerët më të mëdhenj të tregtisë dhe sigurisë së njëri-tjetrit”, shkroi ai në një postim në “X”.
Trump, duke folur në Mar-a-Lago, u pyet nëse po konsideronte përdorimin e forcës ushtarake për të pushtuar Kanadanë.
“Jo, forcën ekonomike. Imagjinoni Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë së bashku”, u përgjigj ai.
Trump, i cili është ankuar prej kohësh për suficitin tregtar të Kanadasë me SHBA-në, u tha më parë gazetarëve se kufiri midis dy vendeve ishte “vijë e tërhequr artificialisht”.
Ai kërcënoi se do të vendoste tarifa prej 25 për qind për importet nga Kanadaja, e cila dërgon 75 për qind të të gjitha eksporteve të mallrave dhe shërbimeve në jug të kufirit.
Ministrja e Punëve të Jashtme kanadeze, Melanie Joly, shkroi më parë se komentet e Trumpit "”tregojnë një mungesë të plotë të të kuptuarit të asaj që e bën Kanadanë një vend të fortë”.
“Ne kurrë nuk do të përkulemi para kërcënimeve”, shkroi ajo në “X”.