Ka dhënë të hënën dorëheqjen nga posti i tij si lider i Partisë Liberale dhe po ashtu nga posti i kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau. Vendimi vjen pas rritjes së zërave që kërkonin dorëheqjen e tij, veçanërisht pas largimit nga qeveria të ministres së tij të Financave.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka njoftuar dorëheqjen e tij të hënën për shkak të pakënaqësisë në rritje për udhëheqjen e tij dhe pas largimit të papritur të ministres së tij të Financave, gjë që sinjalizoi trazira brenda qeverisë së tij.
Trudeau ka deklaruar në një konferencë për media se i ishte bërë e qartë se ai nuk mund "të jetë lider gjatë zgjedhjeve të ardhshme për shkak të betejave të brendshme".
Ai ka planifikuar të qëndrojë si kryeministër derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri i Partisë Liberale.
“Nuk tërhiqem lehtësisht përballë një beteje, veçanërisht shumë të rëndësishme për partinë tonë dhe vendin. Por unë e bëj këtë punë sepse interesat e kanadezëve dhe mirëqenia e demokracisë janë diçka që e kam të shtrenjtë”, ka deklaruar ai.
Një zyrtar i njohur me këtë çështje i cili ka folur në kushte anonimiteti ka thënë se parlamenti, i cili do të rifillojë punën më 27 janar, do të pezullojë punimet deri më 24 mars. Koha do të lejojë një garë për udhëheqjen e Partisë Liberale.
Ndërkohë, të tri partitë kryesore të opozitës kanë thënë se planifikojnë të rrëzojnë Partinë Liberale në një votë mosbesimi kur parlamenti të rifillojë punimet, kështu që zgjedhjet e pranverës për të zgjedhur një zëvendësues afatgjatë janë pothuajse të garantuara.
“Partia Liberale e Kanadasë është një institucion i rëndësishëm në historinë e vendit tonë të madh dhe të demokracisë. Një kryeministër i ri dhe lider i Partisë Liberale do të bartë vlerat dhe idealet e tij në zgjedhjet e ardhshme. Jam i ngazëllyer të shoh që procesi të shpaloset në muajt në vijim”, ka shtuar ai.
Trudeau ka ardhur në pushtet në vitin 2015 pas dhjetë vjetësh qeverisje të Partisë Konservatore dhe fillimisht ishte përshëndetur për kthimin e vendit në të kaluarën e tij liberale. Por ai u bë i papëlqyer nga votuesit në vitet e fundit për një sërë çështjesh, duke përfshirë rritjen e kostos së ushqimit dhe strehimit, dhe rritjen e emigracionit.
Përmbysja politike vjen në një moment të vështirë për Kanadanë në aspektin ndërkombëtar.
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar të vendosë tarifa 25% për të gjitha mallrat kanadeze nëse qeveria nuk ndalon atë që Trumpi e quan një fluks migrantësh dhe droge në SHBA.
Kanadaja është një eksportues kryesor i naftës dhe gazit natyror në SHBA, i cili gjithashtu mbështetet te fqinji i saj verior për çelikun, aluminin dhe makinat.
Ish-ministrja e Financave e Kanadasë, Chrystia Freeland, njoftoi dorëheqjen e saj nga kabineti i Trudeau më 16 dhjetor, duke kritikuar disa nga prioritetet ekonomike të Trudeau përballë kërcënimeve të Trumpit.
Lëvizja, e cila erdhi menjëherë pas dorëheqjes së ministrit të Strehimit, habiti vendin dhe ngriti pikëpyetje se sa gjatë mund të qëndronte në postin e tij Trudeau.