Botë

Tronditet Franca, mbi 400 njerëz u përfshin në të shtënat mes bandave të drogës

Policia franceze

Qindra njerëz janë përfshirë në një shkëmbim zjarri dhe përleshje që lidhet me trafikun e drogës e që la pesë persona të plagosur rëndë në qytetin francez të Poitiersit, ka thënë të premten ministri i Brendshëm Bruno Retailleau.

Ajo që filloi si të shtëna jashtë një restoranti të enjten mbrëma, përfundoi në përleshje masive midis bandave rivale që përfshiu 400 deri në 600 njerëz, ka thënë Retailleau.

Mes të plagosurve është një 15-vjeçar i cili mori plagë në kokë.

Kryebashkiakja Leonore Moncond'huy ka thënë se incidenti ishte “i papranueshëm” në një deklaratë në X. Ajo shtoi se ishte veçanërisht shqetësuese përfshirja e të rinjve.

Ministri Retailleau bëri të ditur se do të udhëtojë më vonë në qytetin veriperëndimor të Rennesit, ku një 5-vjeçar u qëllua në kokë në një tjetër incident të lidhur me drogën javën e kaluar, sipas mediave lokale.

Në intervistën e tij, Retailleau dënoi atë që e quajti “meksikanizimin” e Francës.

“Këto të shtëna nuk po ndodhin në Amerikën e Jugut, po ndodhin në Rennes, Poitiers, në këtë Francë perëndimore dikur e njohur për qetësinë e saj”, ka thënë ai.

Franca viteve të fundit është përballur me rritje të krimit që lidhet me drogën në të gjithë vendin.