Botë

Tre vjet nga fillimi i luftës më të përgjakshme në Evropë në 80 vjet

Lufta në Ukrainë

Foto: Associated Press

Sot mbushen 3 vjet prej kur Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Më 24 shkurt 2022 forcat ruse kishin hyrë me vrull në Ukrainë me pretendimin për një fitore të shpejtë. Por hasën në rezistencë që s’e kishin menduar

24 shkurti shënon përvjetorin e tretë të fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkallë të plotë.

Kremlini ka dështuar në përpjekjen e tij për të arritur një fitore të shpejtë, duke hasur në rezistencë të fuqishme. Ka humbur shumë trupa dhe armatim. Kohët e fundit asnjë palë s’ka bërë përparime dramatike në fushëbetejë.

Rusia pati një vrull në vitin 2024, por shënoi vetëm fitime modeste territoriale dhe dështoi të dëbonte forcat ukrainase nga rajoni Kursk i Rusisë.

Lufta Rusi-Ukrainë, më e përgjakshmja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, filloi në fakt 11 vjet më parë. Pas Revolucionit Maidan të Ukrainës, forcat ruse pushtuan Krimenë në fillim të vitit 2014. 

Pushtimi i shkallës së plotë i Ukrainës nga Rusia nisi më 24 shkurt 2022, ndërsa dukej se kishte dy objektiva: ta merrte shpejt Kievin dhe të pushtonte gjysmën apo deri në dy të tretat lindore të Ukrainës.

Për habinë e pothuajse të gjithëve, forcat ukrainase ndaluan Ushtrinë ruse në afërsi të kryeqytetit, e dëbuan atë nga veriu dhe më vonë nisën kundërofensiva të suksesshme në lindje dhe jug. Ukrainasit filluan kundërsulme të mëtejshme në vitin 2023, por kufizimet e pajisjeve dhe fortifikimet e gjera ruse i penguan ato operacione. 

Që nga viti 2022, ukrainasit janë në mënyrë kritike të varur nga armët dhe municionet perëndimore. Administrata e Donald Trumpit nuk ka kërkuar fonde të reja nga Kongresi për ndihmë ushtarake për Kievin, që do të thotë se fluksi i armëve amerikane në një moment do të pushojë, siç ndodhi kur financimi mbaroi në fund të vitit 2023. 

Baza industriale e mbrojtjes e Evropës do ta kishte të vështirë të përmbushte vetë nevojat e Ukrainës.
Në fillim të 2025-s, ushtria ruse kontrollonte rreth 18% të territorit të Ukrainës, mirëpo në një lëvizje befasuese vitin e kaluar forcat ukrainase pushtuan rajonin rus Kursk. Rusia nuk ka arritur të rimarrë një pjesë të rajonit të saj të cilin e humbi.

Rusët kanë paguar një kosto të madhe gjatë tre vjetëve të fundit, sipas një vlerësimi. Ka humbur rreth 172 mijë ushtarë dhe rreth  611 mijë tjerë i janë plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë. 
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën se më shumë se 46,000 ushtarë ukrainas janë vrarë që nga shkurti i vitit 2022.

Vendimi i Vladimir Putinit në vitin 2022 për ta pushtuar Ukrainë duket gjithnjë e më shumë si një gabim epik, por ai e ka vazhduar luftën, pavarësisht rritjes së kostove që përfshijnë, ku këtu përfshihen edhe sanksionet që i janë vendosur Rusisë. 

Presidenti ukrainas, Zelensky, ka thënë se kostoja e luftës në Ukrainë deri më tani është 320 miliardë dollarë.

Sipas tij, nga kjo shumë rreth 120 miliardë dollarë janë shpenzuar nga taksapaguesit ukrainas dhe 200 miliardë dollarë të tjerë kanë ardhur nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Sipas statistikave të OKB-së të publikuara nga fundi i vitit 2024, mbi 12.340 civilë të vrarë janë regjistruar në Ukrainë qëkur Rusia nisi pushtimin e saj. Më shumë se 27.836 të tjerë janë regjistruar të plagosur.