Botë

Tregtia e paligjshme me Kinën po i forcon milicitë e dhunshme në Mozambik

Trungjet e papërpunuara palisandër në portin e Shangait  - Foto: BBC

Palisandri i Mozambikut është i mbrojtur nga një traktat ndërkombëtar, çka nënkupton se lejohet vetëm tregtia e limituar e tij që nuk i rrezikon speciet. Gjithsesi, hetimi i fshehtë nga EIA ka zbuluar se menaxhimi i dobët i koncesioneve pyjore, prerjet e paligjshme dhe korrupsioni i zyrtarëve të portit po e lejojnë tregtinë e zgjeruar e të pakontrolluar në zonat e kontrolluar nga kryengritësit

(BBC) - Kontrabandimi i drurëve, i vlerësuar të ketë vlerë 23 milionë dollarë në vit, nga pyjet antike të Mozambikut për në Kinë, është duke e ndihmuar financimin e rebelimeve brutale islamike, si dhe një rrjet të madh kriminal në veri dhe jug të shtetit që gjendet në kontinentin e Afrikës.

Kjo tregti e paligjshme e drurëve palisandër është e lidhur me financimin e milicive të dhunshme të Mozambikut të lidhur me Shtetin Islamik në provincën veriore Cabo Delgado, sipas të dhënave nga Agjencia Hetuese e Mjedisit (EIA), organizatë joqeveritare që bën fushata kundër krimeve të pretenduara të ambientit.

Druri palisandër është term tregtar për gamën e gjerë të drurëve tropikalë, që përdoren për mobilie të shtrenjta dhe luksoze në Kinë.

Palisandri i Mozambikut është i mbrojtur nga një traktat ndërkombëtar, çka nënkupton se lejohet vetëm tregtia e limituar e tyre që nuk i rrezikon speciet që jetojnë aty.

Gjithsesi, hetimi i fshehtë katërvjeçar nga EIA në të dy vendet ka zbuluar se menaxhimi i dobët i koncesioneve pyjore, prerjet e paligjshme dhe korrupsioni mes zyrtarëve të portit po e lejojnë tregtinë e zgjeruar e të pakontrolluar në zonat e kontrolluar nga kryengritësit.

Ky raport u shfaq në të njëjtën kohë me rikthimin e luftimeve në veri të Mozambikut. Të premten, të paktën 100 kryengritës kanë kryer sulmin më të përgjakshëm në tre vjet, në qytetin Macomia, e cila ishte ndaluar në fund nga ushtria.

Vendndodhja e sulmit konfirmon se kryengritja i ka lëvizur bazat e saj tutje në jug, për shkak të rritjes së prezencës së ushtarëve në veri.

“Ajo gjithashtu ka fituar mjaft fonde për rekrutim në provincën fqinje Nampula në jug”, sipas analistit të Mozambikut, Joe Hanlon.

Një raport i Qeverisë së Mozambikut i publikuar në fillim të këtij viti – raporti i Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut në Financimin e Terrorizmit – thotë se kryengritësit al-Shebab kanë përfituar nga tregtia ilegale për ta “nxitur dhe financuar rikthimin e dhunës”.

Sipas raportit, përfshirja e kryengritësve në “kontrabandimin e produkteve të faunës dhe florës”, duke e përfshirë drurin dhe “shfrytëzimi i resurseve të pyllit dhe gjallesave të egra” është duke kontribuuar në “nivel të lartë të rritjes së fondeve” për grupet kryengritëse. Ka vlerësuar gjithashtu se të ardhurat nga këto aktivitete shkojnë në 1.9 milionë dollarë në muaj.

Duke pasur parasysh sfidën për t’u qasur në rajonin Cabo Delgado është e vështirë të përcaktohet niveli i përfshirjes ditore të kryengritësve në tregtinë e drurit, por ka pasur raportime se firmat ua paguajnë një tarifë mbrojtjeje prej 10% grupeve xhihadiste për të vazhduar prerjen ilegale në zonat pyjore.

Pyjet me drurë të vlefshëm – jo vetëm palisandër – ndahen në copa, ose koncesione. Ata që duan të presin drurë në këto zona duhet t’u paguajnë autoriteteve një tarifë. Këto janë zakonisht të licencuara për një shtetas të Mozambikut – ndërmjetës - dhe jepen me qira te firmat kineze të prerjeve të drurëve.

Burime me njohuri nga kjo tregti, që kanë folur në kushte anonimiteti, vlerësojnë se 30% e prerjeve të drurëve në Cabo Delgado është duke ardhur kryesisht nga pyjet e pushtuara nga kryengritësit.

Mendohet se ka tri zona kryesore të pyjeve në Cabo Delgado ku ndodh prerja dhe shitja e drurëve: Nairoto, Muidumbe dhe Mueda, plus një në Napai, në provincën fqinje Nampula.

Teksa autoritetet kineze e kanë bërë ilegale prerjen e palisandrit në vendin e tyre, sasi të mëdha të tij vazhdojnë të importohen.

Palisandrit, kur mbërrin në vend, i jepet një kod doganor “hongmu” (dru i kuq në kinezisht), çka i lejon studiuesit ta gjurmojnë atë.

Mozambiku ka qenë furnizuesi kryesor i Kinës me “hongmu“ vitin e kaluar, duke i siguruar mbi 20 mijë tonë me vlerë 11.7 milionë dollarë, sipas Monitoruesit të të Dhënave të Tregtisë, kompani komerciale që gjurmon tregtinë globale.

Ky fenomen ka ndodhur edhe në vende tjera si Senegal, Nigeri dhe Madagaskar, teksa speciet e tyre të palisandrit janë zhveshur ose varfëruar dhe ligjet që e ndalojnë eksportin janë zbatuar më rreptësisht.

Si pjesë e hetimit të fshehtë, EIA-ja ka gjurmuar dërgesa të shumta të palisandrit nga Mozambiku.

Mes tetorit të 2023-s dhe marsit të 2024-s, hetuesit kanë gjurmuar rreth 300 kontejnerë me një lloj të palisandrit, të njohur si “pau preto”, nga porti i Beiras për në Kinë.

Palisandri “pau preto”, që gjendet në veri të Mozambikut dhe në Tanzani, klasifikohet si specie e rrezikuar në listën e kuqe të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Këta 300 kontejnerë kanë qenë duke i transportuar 10 mijë tonë palisandër. Sipas llogaritjeve të tregtarëve, vlerësohet se secili kontejner ka vlerë prej rreth 60 mijë dollarëve, duke e vënë vlerën totale të ngarkesës në rreth 18 milionë dollarë.

Pamjet e fshehta nga EIA-ja tregojnë se disa dërgesa specifike kanë qenë gjithashtu edhe në formë të drurit të papërpunuar -  në vend të dërrasave që janë përpunuar me sharra. Kjo shkel ligjin e 2017-s të vet Mozambikut për eksportimin e drurëve të papërpunuar. Kontejnerët gjithashtu kanë pasur trarë të përpunuar.

Burimet e industrisë thonë se zakonisht kur prerësit presin pemët nga pyjet e Cabo Delgados – ose me koncesione të operuara nga firmat kineze, ose ilegale - druri dërgohet për t’u përpunuar në sharra nëpër Montepuez, qytet i madh në Cabo Delgado.

Ky dru i burimeve të ndryshme pastaj përzihet dhe përmes kamionëve dërgohet nga sharrat e Montepuezit në portet e Pembas ose Beiras.

Në këto porte, ngarkesa duhet të inspektohet nga autoritetet e Mozambikut dhe t’u jepet leje ose licencë eksporti. Por EIA-ja thotë se drurët shpesh keqraportohen ose nuk deklarohen fare në dokumentet doganore.

Palisandri i transportuar mes Mozambikut dhe Kinës dërgohet përmes dy prej kompanive më të mëdha globale të dërgesave, Maersk dhe CMA-CGM, sipas hetimit të EIA-së.

Një zëdhënës nga Maerskut ka thënë në një deklaratë se është “angazhuar për ta luftuar tregtinë ilegale të specieve të egra dhe nuk do ta pranojë rezervimin e specieve të egra dhe produkteve të specieve të egra, ku një tregti e tillë është në kundërshtim me CITES ose ndryshe e paligjshme”.

“Ne u kërkojmë klientëve tanë ta deklarojnë përmbajtjen e ngarkesave të tyre dhe jemi të varur nga autoritetet doganore për t’i verifikuar deklaratat dhe certifikatat. Dërgesat mund të bëhen vetëm kundrejt certifikatave të CITES, traktat shumëpalësh për t’i mbrojtur bimët dhe kafshët e rrezikuara nga kërcënimet e tregtisë ndërkombëtare, dhe aprovimit autoritar”, tha zëdhënësi.

Deklarata ka shpjeguar se është e zakonshme në dërgime që konsumatorët t’i ngarkojnë dhe t’i mbyllin kontejnerët e tyre para se t’i dërgojnë në linjën e dërgesave.

Një zëdhënës i CMA-CGM-së ka thënë se transporton mallra që u përkasin klientëve, në përputhje me rregulloret lokale dhe ndërkombëtare dhe se “nuk është përgjegjës dhe se nuk ka ndonjë mënyrë për ta kontrolluar origjinën e mallrave, të cilat janë dërguar në kontejnerë të mbyllur”.

Zëdhënësi gjithashtu ka thënë se “CMA-CGM-ja nuk transporton më dru të papërpunuar dhe se ka prezantuar një rregull që ndalon rezervimin e hapësirës për dru të papërpunuar në bordin e anijeve që nisen nga Mozambiku”.

Shpyllëzimi në Mozambik është duke vazhduar gjithsesi. Vendi është duke humbur ekuivalentin e rreth 1,000 fushave të futbollit pyll çdo ditë, sipas organizatës joqeveritare “Global Forest Watch”.

Tregtia e palisandrit supozohet të jetë i kufizuar sipas Citesit, por prapëseprapë është bërë produkti më i trafikuar në botë, sipas Zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin. Për sa i përket vlerës, tani është shumë më i vlefshëm sesa tregtimi i fildishit të elefantit dhe bririt të rinoqerontit.

Palisandri “pau preto” është listuar në Shtojcën e 2-të të Cites dhe që të eksportohet legalisht, Qeveria e Mozambikut duhet ta kompletojë një hetim specifik, i quajtur studim i financimit jo të dëmshëm (NDF), për t’u siguruar që tregtia nuk e rrezikon drurin.

Për ambientalistët si Annah Lake Zhu nga Universiteti Wageningen, ky traktat mund të jetë i fuqishëm nëse qeveritë e zbatojnë atë. Ajo beson se menaxhimi i qëndrueshëm i tregtisë së palisandrit ka nevojë për rishikim total. Sipas Zhusë, traktati nuk e ndalon kërkesën e pangopur të elitës së Kinës për mobilie “hongmu”.

Forcimi i ligjit dhe sjellja e sistemeve më të sofistikuara të gjurmimit mund ta përmirësojë situatën. Por në praktikë, ruajtja e palisandrit mund të funksionojë, nëse vendet burimore dhe tregtarët e drurit e bëjnë këtë prioritet.

Në shumë mënyra Cabo Delgado është “vendi perfekt” për zhvillimin e tregtisë ilegale të drurit, thotë menaxheri i programit EIA të Afrikës, Raphael Edou. Ai e përshkruan provincën si qendër të rrugëve tregtare, me përzierje të mungesës së ligjit, korrupsionit dhe popullatës dëshpërimisht të varfër.

Përveç se është shtëpi e disa nga drurëve më të vlefshëm të botës, Cabo Delgado gjithashtu ka burime të tjera të pasurisë brenda kufijve të vet, duke e përfshirë naftë, gazin natyral, rubinë dhe safirë.

Këto pasuri tërheqin investitorë të mëdhenj global si firmën energjetike franceze, Total, e cila e ka ndërtuar një fabrikë prej 20 miliardë dollarësh për lëngëzimin e gazit.

Pronari i firmës së stolive Fabergé, Gemfields Group, ka në pronësi 75% të minierave të rubinëve në Montepuez të Cabo Delgados. Në vitin 2023, të ardhurat e saj ishin 167 milionë dollarë.

Aktiviteti i kryengritësve në provincë ka çuar në një nga krizat më të mëdha të zhvendosjes në Afrikë, me më shumë se një milion njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Kryengritësit shënjestrojnë civilë, duke kryer masakra, heqje të kokave, përdhunime dhe kidnapime. Shtëpitë dhe fshatra të tërë janë bombarduar dhe janë djegur.

Dhuna ka destabilizuar një pjesë të madhe të Cabo Delgados për gati një dekadë, duke e shtyrë qeverinë të mbështetet në trupat e huaja për ta mbikëqyrur provincën.

Autoritetet janë duke u përpjekur t’i përforcojnë ligjet për t’i mbrojtur njerëzit më të cenuar të Cabo Delgados, e lëre më ato të krijuara për ta mbrojtur mjedisin dhe pyjet e tij.