Botë

Tre të vrarë nga forcat izraelite në Libanin jugor

Liban

Foto: Associated Press

Të paktën tre persona janë vrarë dhe më shumë se 40 të tjerë janë plagosur në Libanin jugor të dielën, kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj protestuesve që kishin shkelur postblloqet e ngritura nga ushtria izraelite një ditë më parë, ka njoftuar ministria e Shëndetësisë në Liban.

Demonstruesit, disa prej të cilëve mbanin flamuj të Hezbollahut, u përpoqën të hynin në disa fshatra në zonën kufitare për të protestuar kundër dështimit të Izraelit për të tërhequr trupat e tij nga Libani jugor deri në afatin 60-ditor të përcaktuar në një marrëveshje armëpushimi që ndaloi luftën Izrael-Hezbollah në fund të nëntorit, raporton AP.

Izraeli ka thënë se duhet të qëndrojë më gjatë sepse ushtria libaneze nuk është vendosur në të gjitha zonat e Libanit jugor për të siguruar që Hezbollahu të mos rivendosë një prani ushtarake në zonë.

Ndërkaq, ushtria libaneze ka thënë se nuk mund të vendoset derisa forcat izraelite të tërhiqen.

Presidenti libanez, Joseph Aoun, ka thënë në një deklaratë duke iu drejtuar popullit të Libanit jugor të dielën se "sovraniteti dhe integriteti territorial i Libanit janë të panegociueshme dhe unë po e ndjek këtë çështje në nivelet më të larta për të siguruar të drejtat dhe dinjitetin tuaj".

Ai u ka bërë thirrje atyre që të "ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe besim te Forcat e Armatosura Libaneze".

Armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban është arritur më 26 nëntor të vitit të kaluar, pas rreth tre muajsh luftime të vazhdueshme.

Arrin në 11 numri i të vrarëve në Libanin jugor nga forcat izraelite

2 muaj më parë / 26 jan 2025 14:02
Liban

Photo: Associated Press

Ka shkuar në 11 numri i të vrarëve nga forcat izraelite në Libanin jugor të dielën, pasi afati i fundit për tërheqjen e tyre kaloi, dhe mijëra njerëz u përpoqën të ktheheshin në shtëpitë e tyre në kundërshtim me urdhrat e ushtrisë izraelite, kanë bërë të ditur autoritetet libaneze.

Izraeli ka njoftuar të premten se do t'i mbante trupat në jug përtej afatit të së dielës të përcaktuar në armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA-ja që ndaloi luftën e vitit të kaluar me Hezbollahun, duke thënë se Libani nuk i kishte zbatuar ende plotësisht kushtet që kërkonin që Libani i Jugut të jetë i lirë nga armët e Hezbollahut dhe ushtria libaneze të vendosej aty, raporton Reuters.

Ushtria e Libanit e mbështetur nga SHBA-ja, e cila raportoi një nga ushtarët e saj në mesin e të vrarëve nga forcat izraelite të dielën, ka akuzuar Izraelin për zvarritje në tërheqjen e tij.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka thënë se 11 persona janë vrarë dhe 83 të tjerë janë plagosur në 15 zona të ndryshme të jugut, si rezultat i atyre që i përshkroi si sulme izraelite ndaj qytetarëve ndërsa ata po përpiqeshin të hynin në qytetet e tyre ende të pushtuara.