Botë

Tre të vdekur e dhjetëra të lënduar nga shpërthimi i bombës në një festival në Tajlandë

Tajlanda

Të paktën tre persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar pasi një eksploziv u hodh në një turmë në një festival në Tajlandë.

Sulmi ndodhi pak para mesnatës në panairin e Kryqit të Kuq “Doi Loyfa”, që mbahet çdo vit në distriktin Umphang në provincën veriore Tak.

Dy të dyshuar po mbahen në paraburgim, por asnjë akuzë nuk është ngritur, raportojnë Associated Press dhe media lokale, duke cituar policinë tajlandeze.

Të paktën 48 persona janë lënduar, gjashtë prej të cilëve rëndë,  njoftoi policia.

Raporte sugjerojnë se shpërthimi u shkaktua nga një mjet shpërthyes i improvizuar (IED).

Kryeministrja Paetongtarn Shinawatra  shprehu ngushëllimet e saj për familjet.

Ajo tha se kishte urdhëruar policinë dhe agjencitë e sigurisë që të hetojnë shkakun e shpërthimit dhe të ndihmojnë të prekurit. 

Sipas Bangkok Post, rreth 8-9 mijë njerëz morën pjesë në festivalin njëjavor këtë vit, dhe sulmi ndodhi në natën e parafundit të ngjarjes.