Botë

Tre të akuzuar për komplotin e sulmeve të 11 shtatorit arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë

sulmet e 11 Shtatorit

Foto: Getty

Tre nga burrat e akuzuar për komplotin e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar një marrëveshje paragjyqësore, ka thënë Departamenti i Mbrojtjes.

Khalid Sheikh Mohammed, Walid Muhammad Salih Mubarak Bin Attash dhe Mustafa Ahmed Adam al-Hawsawi janë mbajtur në bazën e marinës amerikane në Gjirin e Guantanamos, Kubë, prej vitesh pa dalë në gjyq.

Nuk janë zbuluar detajet e marrëveshjes, por mediat amerikane kanë raportuar se burrat do ta pranojnë fajësinë në këmbim që prokurorët të mos kërkojnë dënim me vdekje.

Afër 3,000 persona në New York, Virginia dhe Pennsylvania janë vrarë në këto sulme, që nxitën “Luftën mbi Terrorizmin” dhe pushtimet në Afganistan dhe Irak.

Ato kanë qenë sulmet më vdekjeprurëse në tokën amerikane që nga sulmi japonez më 1941 në Pearl Harbour, Hawaii, ku 2,400 persona u vranë.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë fillimisht u lajmërua në një letër dërguar nga prokurorët për familjet e viktimave.

Burrat janë akuzuar për një sërë akuzash, përfshirë sulmin ndaj civilëve, vrasje në kundërshtim me ligjet e luftës, rrëmbim avioni dhe terrorizëm.

Ata pritet të paraqesin zyrtarisht marrëveshjet e tyre në një gjykatë ushtarake javën e ardhshme, raportoi The New York Times.

Khalid Sheikh Mohammed konsiderohet se ishte arkitekti i sulmit, ku rrëmbyesit patën marrë aeroplanët me pasagjerë dhe i kishin rrëzuar në Qendrën Tregtare Botërore në New York dhe në Pentagon.

Një aeroplan i katërt ishte përplasur në një fushë në Pennsylvania pasi pasagjerët u patën rezistuar terroristëve.

Prokurorët kanë thënë se Mohammed e solli idenë e rrëmbimit dhe fluturimit të aeroplanëve në ndërtesat e SHBA-së te lideri i Al-Qaedas, Osama Bin Laden, dhe më vonë ndihmoi në rekrutimin e trajnimin e disa prej rrëmbyesve.

Ai iu nënshtrua një numri “teknikash të përmirësuara të marrjes në pyetje”, duke përfshirë mbytjen e simuluar me ujë, të paktën 183 herë para se kjo praktikë të ndalohej nga qeveria amerikane.

Gjyqi është shtyrë për një kohë të gjatë kryesisht për shkak të frikës se të ashtuquajturat teknika brutale të marrjes në pyetje mund të kenë minuar provat kundër të arrestuarve.