Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se një sulmues ka plagosur tre persona pasi hapi zjarr ndaj disa automjeteve në një rrugë kryesore në Bregun e pushtuar Perëndimor, raporton AP.
Ushtria izraelite ka njoftuar se sulmuesi u largua nga vendi i ngjarjes pas të shtënave të së enjtes dhe se kërkimet për të po vazhdojnë.
Sipas shërbimit izraelit të urgjencave, të plagosurit kanë pësuar lëndime të lehta. Është bërë e ditur që në mesin e të plagosurve është edhe një 13-vjeçar.
Tensionet në Bregun Perëndimor janë rritur që nga fillimi i luftës në Gaza dhe forcat izraelite janë përfshirë në bastisje me qëllimin për të shtypur militantët.
Gjatë kësaj kohe ka pasur edhe numër të shtuar të sulmeve me armë nga palestinezët.
Sipas ushtrisë izraelite, që nga fillimi i luftës, Izraeli ka arrestuar afërsisht 3.600 palestinezë në Bregun Perëndimor.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se të paktën 454 palestinezë janë vrarë dhe rreth 4.700 janë plagosur në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor që nga 7 tetori.