Botë

Tre në dhjetë fëmijë në Afganistan përballen me kriza urie

Afganistan

Foto: Associated Press

Rreth 6.5 milionë fëmijë në Afganistan parashikohet të përjetojnë nivele krize të urisë në vitin 2024, ka thënë një organizatë joqeveritare.

Gati tre në 10 fëmijë afganë do të përballen me krizë ose nivele emergjente të urisë këtë vit ndërsa vendi është ndikuar nga përmbytjet e thatësirat, si dhe nga kthimi i afganëve nga Pakistani e Irani, sipas një raporti të Save the Children.

Shifrat e reja të organit monitorues botëror të urisë “Integrated Food Security Phase Classification” parashikojnë se 28% e popullsisë së Afganistanit, rreth 12.4 milionë njerëz do të përballen me pasiguri akute të ushqimit para tetorit. Prej tyre, gati 2.4 milionë parashikohet të përjetojnë nivele emergjente urie, raportoi AP. 

Save The Children ka thënë se 2.9 milionë fëmijë nën 5 vjeç parashihet se do vuajnë nga kequshqyerja akute në vitin 2024.