Tre avokatët e udhëheqësit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny janë shpallur fajtorë nga Gjykata ruse të premten në akuzën se i përkasin një grupi ekstremist. Ata u dënuan me burgim në territore larg vendbanimeve, ku në disa raste të dënuarit duhet të punojnë punë të rënda, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
Gjykata ruse dënoi Igor Sergunin me 3 vjet e gjysmë, Alexei Lipster me 5 vjet dhe Vadim Kobzev me 5 vjet e gjysmë burgim në seancën e mbajtur me dyer të mbyllura në rajonin e Vladimirit në lindje të Moskës. Ata ishin arrestuar në tetor të 2023 dhe po atë muaj u shtuan në listën zyrtare të “terroristëve dhe ekstremistëve".
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë deklaruar se persekutimi i avokatëve që mbrojnë njerëzit që flasin kundër autoriteteve dhe luftës në Ukrainë ka kaluar një kufi të ri në shtypjen e kundërshtimeve.
Navalny i cili kishte vdekur papritur në një burg në Arktik në shkurtin e vitit të kaluar, ishte i dënuar për ekstremizëm dhe akuza tjera, që ai i mohoi. Gruaja e tij Yulia Navalnaya i ka përshkruar avokatët si të burgosur politikë dhe ka theksuar se ata ishin arrestuar vetëm pse bënë punën e tyre.
Kremlini ka deklaruar se nuk komenton raste individuale gjyqësore, por autoritetet i kanë emëruar Navalnyn dhe mbështetësit e tij si tradhtarë të mbështetur nga Perëndimi për të destabilizuar Rusinë.
Edhe pse i burgosur, Navalny përmes avokatëve ishte në gjendje të postojë në rrjetet sociale dhe shpesh të ngrejë padi për trajtimin e tij në burg, duke i përdorur seancat e dëgjimit si shanse për të folur kundër qeverisë dhe luftës.
Avokatët janë akuzuar për mundësimin e funksionimit të Navalnyt si lider i asaj që qeveria ruse e quajti një grup ekstremist, edhe nga brenda burgut, duke ia publikuar mesazhet tij botës.