Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një traditë të gjatë, ku kandidatët presidencialë që humbin zgjedhjet bëhen pjesë e ceremonisë së inaugurimit të njerëzve që i mundën apo udhëheqësve të rinj, duke projektuar në botë transferimin e rregullt të pushtetit.
Është praktikë kjo që zëvendëspresidentja Kamala Harris do ta rifillojë më 20 janar, pas një ndërprerjeje tetëvjeçare.
Vetëm një herë në epokën e televizionit - me efektin e tij hiperbolizues në reagimet e kandidatit humbës - një kandidat i mundur e ka anashkaluar këtë praktikë.
Ai kandidat, ish-presidenti Donald Trump, u nis për në Florida pas një përpjekjeje të dështuar për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, bazuar në teori të rreme ose të pabaza.
Trumpi, tani, në janar, është planifikuar të qëndrojë në shkallët perëndimore të Kapitolit dhe të betohet për një mandat të dytë, teksa Harrisi do ta vëzhgojë, raporton “AP”.
Janë disa shembuj të tjerë ku kandidatët humbës kanë marrë pjesë në ceremoni të inaugurimit të presidentëve të rinj, rit që ish-presidenti Ronald Reagen e ka quajtur “asgjë më pak se një mrekulli”.
2001: Al Gore dhe George W. Bush
Demokrati Al Gore pranoi fitoren e republikanit George W. Bush pas 36 ditësh beteje ligjore mbi fletëvotimet e Floridës, për të cilat Gjykata e Lartë dha vendim që të mos rinumëroheshin.
Gore, zëvendëspresident në detyrë, do t’i bashkohej Bushit në shkallët perëndimore të Kapitolit një muaj më vonë kur guvernatori i Teksasit u betua si president. Pasi Bush bëri betimin, ai dhe Gore shtrënguan duart, folën shkurt dhe buzëqeshën përpara se Gore të kthehej në karrigen e tij.

2017: Hillary Clinton dhe Donald Trump
Demokratja Hillary Clinton ishte e sinqertë në lidhje me zhgënjimin e saj për humbjen ndaj Trumpit në 2016-n, kur ajo mori më shumë vota, por nuk arriti të fitonte shumicën e Kolegjit Zgjedhor.
Duke e quajtur Ditën e Inaugurimit “një nga ditët më të vështira të jetës sime”, Clinton tha se ajo e kishte në plan që të merrte pjesë në betimin e Trumpit për shkak të detyrës, pasi ishte zonja e parë gjatë presidencës së burrit të saj nga viti 1993 deri në vitin 2001.

2021: Mike Pence (në mungesë të Trumpit) dhe Joe Biden
Trumpi katër vjet më parë pretendoi, pa prova, se humbja e tij ndaj presidentit Joe Biden ishte mashtrim. Mbështetësit e Trumpit madje kishin sulmuar Kapitolin, duke synuar të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve.
Zëvendëspresidenti i atëhershëm, Mike Pence, ishte fytyra e administratës në largim.
Pence dhe gruaja e tij u takuan privatisht me Bidenin dhe gruan e tij për t’i uruar ata në Kapitol përpara ceremonisë dhe shoqëruan zëvendëspresidenten e sapo betuar Kamala Harris dhe burrin e saj jashtë Kapitolit më pas, ashtu siç e përshkruan tradita.

1993: George H.W. Bush dhe Bill Clinton
Bush qëndroi në shkallët perëndimore të Kapitolit tre herë, kur u betua si zëvendëspresident dy herë dhe në vitin 1989 kur u inaugurua si president. Ai do të merrte pjesë përsëri në vitin 1993, por këtë herë si humbës.
Ai iu bashkua Bill Clintonit, demokratit që e mundi, në ecjen tradicionale në shkallët lindore.
