Qindra, në mos mijëra, fëmijë nga Afrika janë trafikuar në tregtinë e kokainës që po lulëzon në Evropë, një industri kriminale, ku po transportohen sasi të mëdha të drogës nga pyjet tropikale të Andeve drejt një numri në rritje të konsumatorëve përgjatë kontinentit. E përpos shfrytëzimit, këta fëmijë po përballen edhe me dhunën e tmerrshme fizike të ushtruar mbi ta
Maddalena Chiarenza asnjëherë nuk e di se në çfarë gjendje do të jenë fëmijët kur arrijnë në derën e saj. Ajo ka parë lëndime të tmerrshme. Sy të nxirë, dhëmbë e nofull të thyer.
“Ata vuajnë nga dhuna sistematike”, thotë Chiarenza, organizata joqeveritare e së cilës “SOS Jeune” me seli në Bruksel, kujdeset për fëmijët marokenë dhe algjerianë pa kujdestarë.
Nga zyra e organizatës deri te terminali “Eurostar”, ka grupe të fëmijëve të Afrikës veriore gjithandej.
Disa ecin nëpër rrugë si “zombi”, pasi marrin Rivotril, antidepresant i fuqishëm.
Chiarenza thotë se përpos grupeve të organizatave joqeveritare të tilla si “SOS Jeune”, këta fëmijë kanë pak shokë. Askush nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë për kujdesin e tyre.
Disa nga fëmijët për të cilët është kujdesur organizata kanë vdekur nga sëmundjet, vrasja ose vetëvrasja; të paktën pesë gjatë tre vjetëve të fundit, sipas Chiarenzas. Rreth 23 fëmijë të tjerë me të cilët ka pasur kontakt, janë në burg, disa me vepra penale të lidhura me drogën.
Në sipërfaqe, gjendja e vështirë e këtyre fëmijëve emigrantë dhe qindra të tjerëve si ata në të gjithë Evropën, është dëshmi e dështimit të qeverive në të gjithë kontinentin për t’u ofruar ndihmë viktimave më të cenueshme të krizës globale të migracionit.
Hetimet dhe këta fëmijë tregojnë një histori tjetër, një rrëfim të patreguar të varësisë në rritje të Evropës ndaj formulës kimike C17H21NO4 - kokainës.
Inteligjenca e policisë identifikon një numër të lartë të fëmijëve të trafikuar nga Afrika veriore për të punuar për rrjetet e nivelit të lartë të kokainës në Evropë.
Në mars, oficerët e lartë të policisë kanë mbajtur një mbledhje sekrete në Bruksel. Prezentë kanë qenë oficerët nga 25 vende të Bashkimit Evropian së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Europolin, forcat kufitare të BE-së, agjencinë e refugjatëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Komisionin Evropian.
Në agjendë ishte shfrytëzimi i fëmijëve afrikanë nga kartelet e fuqishme të drogës me bazë në Evropën perëndimore.
“Ne kemi prova se këta të mitur të huaj janë shfrytëzuar në numra të mëdhenj në vendet e BE-së nga grupet e krimit të organizuara (OCG) të përfshirë në trafikimin e drogës”, ka thënë një burim policor.
Fenomeni, sipas policisë, është në shkallë industriale. Hetuesit që janë duke i shikuar rekrutimet e mëdha të të miturve nga rrjetet e kokainës në Belgjikë, shpejt e kanë kuptuar se ky model i operacionit është duke u përdorur përgjatë Evropës.
Një dokument i policisë belge dokumenton një konferencë të fundit të oficerëve evropianë që po hetojnë krimin e organizuar dhe trafikimin e njerëzve: “Belgjika, Holanda, Spanja dhe Franca kanë prezantuar disa raste konkrete të shfrytëzimit të qindra të miturve të Afrikës veriore, të rekrutuar nga rrjetet e trafikimit të drogave për të shitur narkotikë”.
Kërcënimi me përdhunim në grup
Rrjetet e kokainës janë veçanërisht brutale, thotë policia. Fëmijëve u thuhet ta shesin një kuotë të caktuar të drogës ose rrezikohen nga përdhunimi në grup. Videot e konfirmojnë këtë kërcënim. Të tjerët janë të detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale me të rritur. Një raport nga zyrtarët e drejtësisë ka gjetur se “rrjetet” e tilla janë të udhëhequra me rregulla të ashpra. Në raport thuhet se “Rrjeti i detyron ata të bëjnë gjëra; shumë nga djemtë janë përdhunuar dhe janë filmuar gjatë aktit”.
Ndëshkimi është i garantuar. Një fëmijë i kapur nga policia e Brukselit, duke shitur drogë, është gjetur dy ditë më vonë i mbuluar nga shenjat. Rrahje dënuese.
Disa janë larguar nga Belgjika; të frikësuar se do të vriten sepse kanë borxhe me para nga tregtia.
Një numër i tyre shndërrohen në fëmijë ushtarë: të urdhëruar për t’i sulmuar bandat rivale të drogave, zakonisht me thika.
“I gjejmë me lëndime të tmerrshme, plagë të thella të tehut, të cilat përpiqen t’i trajtojnë vetë”, thotë një punonjës social në Bruksel.
Inteligjenca e fundit e Europolit e konfirmon punësimin “abuziv” të fëmijëve në rrjete të tilla për t’i shënjestruar rivalët. Aty thuhet se “ata rekrutojnë të mitur për kryerjen e sulmeve të dhunshme për t’i kërcënuar ata që nuk bashkëpunojnë”.
Një nga oficerët e lartë të Evropës që po heton shfrytëzimin e fëmijëve paralajmëron se kërcënimi është më i vërejtur te të miturit e dy vendeve afrikane.
Veteran me 30 vjet eksperiencë, komisionari belg i drejtësisë Eric Garbar thotë se “të miturit marokenë dhe algjerianë janë më të prekurit dhe më të shfrytëzuarit nga OCG-të e përfshira në aktivitete kriminale si trafikimi i drogës”.
Janë ngritur shqetësime së fundmi në Londër. Në takimet që përfshijnë policinë dhe zyrtarët e mbrojtjes së fëmijëve, janë duke u përpjekur ta gjejnë rrjetin kriminal përgjegjës për një numër të fëmijëve marokenë dhe algjerianë të gjetur të shpërfytyruar tmerrësisht. Të rinjtë, sipas burimeve, janë torturuar.
Youssefi e ka ditur se do të jetë ndryshe, por ardhja në Evropë ka qenë sikur zbarkim në një planet tjetër. “Nuk e di gjuhën, vlerat, zakonet – ose diçka. Është mjaft tronditëse”. I larguar nga qyteti maroken Salé dhe nga babai i tij abuziv, Youssefi në moshën 15-vjeçare, ka arritur në Spanjë dhe është nisur për në Bruksel.
Komisionarja e të drejtave të fëmijëve të Belgjikës Caroline Vrijens i përshkruan djemtë si Youssefi si të miturit “më të cenueshëm” në kontinent.
Bandat e drogës do të pajtoheshin me këtë. “Kriminelët në Evropë më janë afruar, por gjithmonë i kam refuzuar”, thotë Youssefi. Fëmijët e tjerë ishin më pak të vendosur sesa ai. Disa nga miqtë e Youssefit thjesht janë zhdukur.
“Ata janë nën mëshirën e grupeve të krimit të organizuar”, thuhet në një dokument të policisë belge, dërguar Europolit dhjetorin e kaluar: “... te të cilët ata kthehen si detarë me anije të përmbytur të tërhequr nga drita qetësuese e farit”.
Fari më i shndritshëm dhe më i madh i përket një rrjeti maroken të kokainës të njohur si “Mocro Maffia”. Ky kontrollon shumicën e terrenit rreth terminalit “Eurostar” të Brukselit. Gjithashtu, kontrollon portin e dytë më të madh të kontejnerëve në Evropë, 30 milje në veri.
Antwerpi është bërë hyrja kryesore e kokainës në kontinent, e dërguar nga Amerika Jugore, e fshehur në mes të kontejnerëve prej 12 metrash që arrijnë aty çdo vit.
Vitin e kaluar, autoritetet kanë sekuestruar 116 tonë kokainë në port. Akoma shumë prej saj futet në vend: sipas raporteve, vetëm 1% ose 2% e kontejnerëve që vijnë në Antwerp kontrollohen nga zyrtarët. Dhe çdo ton që i kalon autoritetet, forcon “Mocro Maffian” dhe zhvillon projektin e tij për t’i përmbushur kërkesat në rritje të Evropës për drogën.
Analistët thonë se bandat gjithnjë e më të fuqishme të Evropës, si “Mocro Maffia”, janë duke punuar tani drejtpërdrejt me kartelet e Amerikës Jugore për ta rritur prodhimin e kokainës që t’i arrijë nivelet rekord.
Volumi i kokainës që vjen nga Amerika Jugore në Evropë është duke i mbajtur çmimet të ulëta dhe kualitetin të lartë. Në krahasim me vitet e ’90-ta, çmimi rrugor i kokainës është gati 20 funte për gram.
“Është produkt më i përballueshëm dhe i pastër se ç’ishte 20, 30 vjet më parë”, ka thënë Tim Surmont, analist me Qendrën Evropiane të Monitorimit të Drogave dhe Varësisë në to.
Rritja e konsumuesve të kokainës në Evropë
Konsumatorët janë përgjigjur në përputhje me rrethanat: katër herë më shumë evropianë përdorin kokainë sesa dy dekada më parë.
Por rritja e tregut ka nevojë për fuqi punëtore. “Mocro Maffia” nuk ishte e ngadaltë të vlerësonte se fëmijët pa dokumente e të vetëm si Youssefi, janë shitësit idealë, të lirë dhe të disponueshëm të drogës në rrugë.
Një raport i fundit i policisë belge, i ndarë me Europolin, përshkruan “Mocro Maffian” si rrjet të strukturuar kriminal që “nuk heziton më t’i shfrytëzojë të miturit për ta pasuruar veten”.
Grupi i punëtorëve është i rëndësishëm. Vitin e kaluar policia i ka referuar 623 fëmijë të pashoqëruar nga familja, nga Maroku dhe Algjeria në shërbimin mbrojtës së Brukselit. Të tjerët zhduken, për të mos u gjetur kurrë.
Tijana Popovici nga “Child Focus” në Bruksel ka regjistruar 332 zhdukje “shqetësuese” të të miturve të pashoqëruar nga familjet në Bruksel vitin e kaluar, duke përfshirë grupmoshat 11 dhe 12 vjeç.
Garbar, në një raport të policisë, tregon se mijëra fëmijë të vetëm futen në Evropë çdo vit dhe “zhduken pa lënë gjurmë”.
Ai shton se “shumë prej tyre janë ‘kapur’ nga rrjetet kriminale”.
Përveç Brukselit, shumë zhduken edhe në Paris. Vitin e kaluar, policia ka ndërprerë një rrjetë të gjerë të drogave në zonën Barbès që ka shfrytëzuar fëmijë algjerianë.
Kohëve të fundit, Londra është bërë burim i shqetësimeve, me policinë e ekspertët e mbrojtjes së fëmijëve që mblidhen për ta diskutuar trendin e ri alarmant. Fëmijët e cenueshëm marokenë, që duken se kontrollohen nga kriminelët, janë gjetur në të paktën katër bashki të Londrës veriore.
Gjatë shkurtit dhe marsit, Policia britanike ka gjetur nëntë fëmijë marokenë ose algjerianë që kanë pasur nevojë për mbrojtje urgjente. Pesë janë gjetur në hekurudhat ose rrjetet nëntokësore të Londrës.
Arlene Wilson, detektive, thotë se “kanë identifikuar fëmijë dhe njerëz të cenuar në rrjetin hekurudhor, të cilët konsiderohen të jenë viktima të shfrytëzimit dhe skllavërisë së kohëve moderne”.
Policia që po heton rastin, sipas burimeve, ka bastisur një adresë në parkun “Finsbury”, Londër veriore. Autoritetet janë detyruar të veprojnë shpejt. Jo vetëm që fëmijët ishin të cenuar: ata ishin duke u abuzuar.
“Të rinjtë e identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar janë parë të kenë plagë të rënda; tregues se ata janë prekur nga nivele të larta të dhunës”, thotë një burim i mbrojtjes së fëmijëve. “Sulmet e dhunshme si metodë kontrolli”.
Amini kthehet, duke rrudhur sytë nga dielli, fytyra e tij e mbuluar me shenja për të cilat nuk dëshiron të flasë. Prapa tij, një gardh 6 metra e ndan Marokun nga enklava spanjolle Melilla. Për tre vjet, si qindra të mitur të tjerë, Amini ka mbijetuar duke u shitur facoleta punonjësve në portin e Beni Ansarit, duke u ikur autoriteteve.
“Dua ta ndihmoj familjen time, të shkoj në Evropë. Dua ta ndryshoj jetën time”, thotë 13-vjeçari, që është larguar nga shtëpia për të gjetur punë pas vdekjes së babait të tij.
Youssefi ka kaluar në të njëjtën mënyrë, duke e kaluar gardhin e pastaj me barkë deri në Spanjë. Shumica fshihen nëpër kamionë. Një numër i tyre trafikohen drejtpërdrejt te rrjetet e kokainës në qytetet si Brukseli, thotë policia.
Sindikatat kriminale janë ekspertë në përdorimin e rrjeteve sociale për t’i joshur fëmijët. Platformat prezantojnë kanale “harraga” të lidhura me rrjetet e drogave, duke u premtuar jetë më të mirë në Evropë.
“Harraga” do të thotë “për të djegur” në arabisht, për shkatërrimin e dokumenteve personale që ta mënjanojnë identifikimin në Evropë. Fëmijët si Amini e quajnë veten “harragas” – djegës.
Kërcënimi për të ardhmen
Policia thotë se “Mocro Maffia” nuk është në rrezik t’i mbarojnë djegësit.
“’Mocro Maffia’ e kupton se në vendin e tyre të origjinës kanë në dispozicion burime njerëzore të pakufizuara. Ajo që kemi në BE janë burime njerëzore të pandalshme me kosto të ulët nga Afrika”, thotë Garbari.
Në një pikë, oficerët presin se burimet e të rinjve, punëtorë nga Afrika të rriten akoma, duke e rritur shfrytëzimin e fëmijëve nga vendet si Sudani. Rrjetet e kokainës kanë qenë të shpejta për të përfituar nga trazirat në Afganistan. Gjatë takimit në Bruksel në mars, policia ka ndarë prova se fëmijët afganë të rinj deri në 12 vjeç, janë duke u trafikuar me masë të madhe në kryeqytetin evropian të kokainës, Antwerp.
Në Bruksel, policia e armatosur është duke i larguar të rinjtë marokenë nga terminali “Eurostar”.
Zgjedhjet evropiane janë mbajtur tashmë: e fëmijët që shesin kokainë nuk janë imazh i mirë për kryeqytetin e politikave të BE-së.
Së shpejti do të shpallet një operacion i veçantë policor për ta trajtuar trafikimin e fëmijëve afrikanë nga kartelet e kokainës në Evropë.
Më gjerësisht, kërkohet një ndryshim në mentalitetin e policisë, thotë Garbari. Arrestimi i fëmijëve tregtarë bën zero ndryshim. Rrethi përreth Eurostarit ka parë 2000 arrestime të lidhura me drogën gjatë gjashtë muajve të fundit pa ndonjë ndikim të dukshëm në furnizimin me kokainë.
Youssefi kërkon një zgjidhje humane, një zgjidhje që e shfrytëzon qëndrueshmërinë e fëmijëve.
“Për të jetuar dhe mbijetuar jetën në rrugë duhet të jesh i fortë. Ata duhet të shihen si njerëz, duke u dhënë një shans larg krimit.”
Youssefi është prova se ata mund të përparojnë. Tani 25 vjeç, ai ka jetuar në Belgjikë për gjashtë vjet dhe punon për Kryqin e Kuq.
Garbari paralajmëron se dështimi për t’i shpëtuar fëmijët e cenueshëm do të përfundojë me një çmim të lartë nga Evropa. Tregtarët e sotëm 12-vjeçarë të rrugës do jenë narkobosët e së nesërmes.
“Kur të rriten, këta të rinj do të jenë një kërcënim për shoqëritë tona. Ata nuk janë përshtatur me stilin tonë të jetesës dhe nuk kanë qenë në gjendje të përfitojnë nga mbrojtja dhe kujdesi i duhur nga shtetet tona”.
“Ata do të vazhdojnë aktivitetet e tyre kriminale dhe do të ngrihen në pushtet. Nëse nuk veprojmë kundër këtij fenomeni, atëherë në 10, 15, 20 vjet do të përballemi me një nga problemet tona më të rëndësishme”.