Një nga ekonomistët më të njohur të Kinës që pati punuar në një institut qeveritar, Zhu Hengpeng, raportohet i zhdukur pas kritikave që i drejtoi ndaj presidentit Xi Jinping në një bisedë private, raporton “The Guardian”.
55-vjeçari besohet të ketë bërë komente përçmuese për ekonominë e Kinës dhe potencialisht për liderin kinez në mënyrë specifike, në një grup privat në rrjetin social WeChat. Zhu u arrestua më pas në prill dhe u vu nën hetim.
Zhu punoi për Akademinë Kineze të Shkencave Sociale (Cass) për më shumë se 20 vjet, së fundmi si zëvendësdrejtor i Institutit të Ekonomisë dhe drejtor i Qendrës Kërkimore të Politikave Publike. Ai thuhet se nuk është parë në publik që nga prilli kur foli në një ngjarje të organizuar nga media kineze Caixin. Wall Street Journal është përpjekur të kontaktojë në shtëpinë e Zhu, por pa sukses.
Në fillim të këtij muaji, u raportua për ndryshime në institut, ku përveç Hengpengut, nga detyra u larguan edhe drejtori e sekretari. Zhu nuk figuron më si punonjës në faqen e internetit të Cass e as në Universitetin Tsinghua.
Cass është institut qeveritar në Kinë, i cili i raporton drejtpërdrejt kabinetit të partisë komuniste kineze (CCP), Këshillit të Shtetit, dhe ka qenë prej kohësh me ndikim politik, duke ofruar ndonjëherë analiza relativisht të sinqerta. Megjithatë, nën sundimin gjithnjë e më autoritar të Xi Jinpingut, kritikat ndaj CCP-së dhe lidershipit të tij janë bërë gjithnjë e më të vogla dhe janë trajtuar në mënyrë ndëshkuese.
Akademikët kinezë kanë thënë më parë se po kanë frikë të raportojnë vlerësime negative të situatës ekonomike, sociale ose politike të Kinës nga frika e hakmarrjeve.
Ekonomia e Kinës po lufton dhe ka shqetësime se ekonomia e dytë më e madhe në botë do të humbasë objektivin e rritjes vjetore prej 5 për qind, ambicie relativisht modeste sipas standardeve historike. Të martën, banka qendrore e vendit njoftoi përpjekjet më të mëdha stimuluese ndër vite për të nxitur rritjen ekonomike. Megjithëse, ekspertët shprehën shqetësimin se masat, përfshirë uljen e normave të interesit, nuk do të ishin të mjaftueshme.