Disa ish-punonjës të kampit dhe ish-të burgosur kanë folur për tmerret që kanë parë ose përjetuar aty. Izraeli vazhdimisht i ka refuzuar kërkesat për ta treguar numrin e të burgosurve, ose për vendndodhjen e të burgosurve të Gazës.
Në një bazë ushtarake, që tani shërben si qendër paraburgimi, në shkretëtirën Negev të Izraelit, një punonjës izraelit që ka punuar në objekt ka shkrepur dy foto të skenës, të cilat sipas tij vazhdojnë ta mundojnë.
Rreshta me burra në tuta gri shihen të ulur në dyshekë të hollë, të rrethuar me tela me gjemba. Të gjithë duken të jenë me sy të lidhur, me kokat e varura nën dritat e projektimit.
Era e qelbur mbushte ajrin dhe në dhomë dëgjoheshin murmuritjet e burrave, kanë thënë izraelitët që kanë qenë në objekt. Të ndaluar për të folur me njëri-tjetrin, të burgosurit murmurisnin me veten.
“Na është thënë se atyre nuk u lejohej të lëviznin. Duhet të uleshin drejt. Nuk u lejohej të flisnin. Nuk lejoheshin të përgjonin”.
Rojet janë udhëzuar “të bërtisnin uskot” – mbylle gojën në gjuhën arabe – dhe “t’i ndëshkonin njerëzit që ishin problematikë”, kanë thënë ata.
CNN-i ka folur me tre denoncues izraelitë, të cilët kanë punuar në kampin Sde Teiman, që mban palestinezë të burgosur gjatë pushtimit të Gazës. Ata e kanë shpjeguar objektin ku doktorët ndonjëherë kanë amputuar gjymtyrët e të burgosurve, për shkak të lëndimeve që i kanë pësuar nga prangat. Procedura mjekësore ndonjëherë të kryera nga mjekët e pakualifikuar që po fitojnë reputacion si “hyjnorë të të burgosurve”, dhe ku ajri është i mbushur me erën e plagëve të neglizhuara e të lëna për t’u kalbur.
Sipas tyre, objekti rreth 18 milje nga Gaza është i ndarë në dy pjesë: zona të rrethuara ku rreth 70 të burgosur palestinezë janë të vendosur në kufizim fizik ekstrem dhe spital fushor, ku të burgosurit janë të lidhur në krevatet e tyre, me pelena dhe të ushqyer përmes tubave.
“Ata i kanë zhveshur nga tiparet njerëzore”, ka thënë njëri nga denoncuesit, që ka punuar si mjek në spitalin e objektit.
“Të rrahurat nuk kanë kryer për të mbledhur informata nga ta. Janë bërë në shenjë hakmarrjeje”, ka thënë tjetri. “Ishte dënim për atë që kanë bërë palestinezët më 7 tetor”.
Sipas deklaratës së ushtrisë izraelite “IDF-i siguron që sjellja e të burgosurve të jetë e duhur. Çdo pretendim për sjellje jo të mirë të ushtarëve të IDF-it ekzaminohet dhe pastaj merren masa. Në raste të veçanta, hapen hetime nga MPCID-ja (Divizioni i Hetimit Kriminal i Policisë Ushtarake) kur ka dyshime për shkelje”.
“Të burgosurit janë të prangosur në bazë të nivelit të rrezikut dhe statusit të shëndetit. Incidentet e tilla nuk janë të njohura nga autoritetet”.
Raportime për abuzimet në Sde Teiman janë shfaqur në mediat izraelite dhe arabe pas thirrjeve nga grupet izraelite dhe palestineze të të drejtave për kushtet në qendër. Por dëshmitë e punonjësve izraelitë më tutje i nxjerrin në pah veprimet e Izraelit, me pretendime të reja për keqtrajtim. Gjithashtu hedhin dyshime për pohimet e Izraelit se vepron në përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare.
Të burgosur në shkretëtirë
Ushtria izraelite e ka pranuar konvertimin e tri objekteve ushtarake në kampe paraburgimi për të burgosurit palestinezë që nga sulmi i Hamasit në Izrael, ku sipas autoriteteve, janë vrarë rreth 1.200 njerëz dhe janë marrë peng 250 të tjerë. Këto objekte janë Sde Teimani në shkretëtirën Negev dhe bazat ushtarake Anatot dhe Ofer në Bregun Perëndimor.
Kampet janë pjesë e infrastrukturës së Ligjit të Izraelit për Luftëtarët e Paligjshëm, legjislacion i miratuar dhjetorin e kaluar nga Knesset, legjislatura e Izraelit, që e ka zgjeruar autoritetin ushtarak për burgimin e militantëve të dyshuar.
Ligji i lejon ushtrisë të burgosë njerëz për 45 ditë pa urdhërarrest, e më pas duhet të transferohen në ish-sistemin e burgut izraelit (IPS), ku mbi 9.000 palestinezë janë duke u mbajtur në kushte të përkeqësuara që nga 7 tetori. Dy asociacione palestineze për të burgosurit kanë thënë se 18 palestinezë – duke e përfshirë kirurgun e njohur nga Gaza Adnan al-Bursh – kanë vdekur gjatë mbajtjes nga Izraeli.
Kampet ushtarake – ku numri i të burgosurve është i panjohur – shërbejnë si pikë filtrimi. Pas burgimit në kampe, të dyshuarit për lidhje me Hamasin janë transferuar në IPS, kurse ata me lidhje me militantët janë liruar në Gaza.
CNN-i ka intervistuar dhjetëra ish-të burgosur palestinezë që janë liruar nga kampet. Ata nuk e kishin idenë se ku ishin mbajtur për shkak të syve të lidhur. Por detajet e tyre përputhen me ato të sinjalizuesve.
“Kemi pritur natën për të fjetur. Pastaj kemi pritur mëngjesin me shpresën se situata do të ndryshonte”, ka thënë Mohammed al-Rani, duke folur për burgimin dhe përballimin e temperaturave të shkretëtirës.
Al-Ran, palestinez me shtetësi boshnjake, kishte drejtuar repartin e kirurgjisë në spitalin indonezian të Gazës veriore, ndër të parët të mbyllur dhe të bastisur gjatë ofensivës izraelite. Ai ishte arrestuar më 18 dhjetor jashtë spitalit Al-Ahli Baptist, ku kishte qenë duke punuar për tri ditë pasi ishte larguar nga spitali i tij.
Atë e kishin zhveshur, i ishin mbuluar sytë dhe i ishin lidhur duart, pastaj e kishin futur pas një kamioni, sipas tij, ku të burgosurit e zhveshur ishin vendosur një mbi një teksa ishin dërguar në kampin e paraburgimit në mes të shkretëtirës. Al-Rani ishte mbajtur në paraburgim për 44 ditë.
“Ditët tona ishin mbushur me lutje, lot dhe kërkesa. Kjo na e lehtësoi agoninë”, ka thënë ai. “Kemi qarë tërë kohën. Kemi qarë për veten, për kombin, për komunitetin dhe për të dashurit tanë. Kemi qarë për gjithçka që na shkonte në mendje”.
Një javë pas burgimit të tij, autoritetet e kampit e kanë urdhëruar të sillej si ndërmjetës mes rojeve dhe të burgosurve, rol i njohur si Shawish, “mbikëqyrës”. Sipas denoncuesve, Shawishi është i burgosur, i liruar nga dyshimet për lidhje me Hamasin pas marrjes në pyetje.
Ushtria izraelite e ka mohuar mbajtjen e panevojshme të të burgosurve, ose përdorimin e tyre për përkthim. “Nëse nuk ka arsye për burgim, të burgosurit lirohen në Gaza”, kanë thënë ata në një deklaratë.
Gjithsesi, dëshmitë nga denoncuesit dhe të burgosurit krijojnë dyshime për mbi përshkrimin proceseve nga IDF-i. Al-Rani ka thënë se ka shërbyer si Shawish për disa javë pasi nuk ishte më nën dyshime se kishte lidhje me Hamasin. Denoncuesit kanë thënë gjithashtu se Shawishët e liruar kanë shërbyer si ndërmjetës për ca kohë, meqë dinin hebraisht.
Për këtë, al-Rani ka thënë se i qe dhënë privilegji i veçantë: i ishte hequr shamia nga sytë. Ai ka thënë se për të ky ishte vetë ferri.
“Pjesë e torturës sime ishte se tani mund t’i shihja njerëzit duke u torturuar”, ka thënë ai. “Më herët nuk mund ta shihje torturën, hakmarrjen, shtypjen. Kur ma hoqën shaminë, mund ta shihja shkallën e poshtërimit... Mund të shihja se nuk na shihnin si qenie njerëzore, por si kafshë”.
Të burgosurit që kanë kryer shkelje të tilla si biseda me të tjerët do të urdhëroheshin t’i mbanin krahët e ngritur deri në një orë. Duart e tyre ndonjëherë janë lidhur në një gardh për t’u siguruar që ata nuk do ta ndryshonin pozicionin.
Për ata që shpesh i kanë thyer rregullat, dënimet janë bërë më të rënda. Rojet ndonjëherë i kanë larguar në një zonë dhe i kanë rrahur në mënyrë agresive, sipas dy prej denoncuesve.
Një denoncues dhe al-Rani e kanë përshkruar kontrollin me qen të mëdhenj teksa flinin. Al-Rani e ka quajtur këtë “tortura e natës”.
“Teksa ishim të lidhur, ata na e lëshonin qentë që lëviznin në mesin tonë dhe sipër nesh”, ka thënë al-Rani. “Ishe i shtrirë në bark e nuk mund të lëvizje”.
“Një njësi speciale e ushtrisë e kryente këtë kontroll”, ka thënë denoncuesi. “Por në fakt ishte vetëm arsyetim për t’i lënduar. Ishte situatë e tmerrshme. Kishte shumë të bërtitura dhe lehje të qenve”.
Të lidhur në krevate
Dëshmitë e denoncuesve kanë treguar për një lloj tjetër të tmerrit në spitalin fushor të Sde Teimanit.
“Çfarë kam ndier kur jam marrë me këta pacientë ishte cenueshmëria totale”, ka thënë një mjek që ka punuar në Sde Teiman. “Kur e mendon se nuk je në gjendje të lëvizësh, të shohësh, je i tëri lakuriq, kjo të lë të ekspozuar. Mendoj se kjo kalon në torturë psikologjike”.
Një denoncuesi tjetër ishte urdhëruar ta kryente një procedurë mjekësore për të cilën nuk ishte i kualifikuar.
“Më është kërkuar të mësoj gjërat duke eksperimentuar me pacientët, duke kryer procedura që janë jashtë ekspertizës sime”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo shpeshherë ishte bërë pa anestezion. “Nëse ankoheshin për dhimbje, do t’u jepej paracetamol. Të qenët atje të bënte të ndiheshe si bashkëfajtor në abuzim”. Ky denoncues gjithashtu ka shtuar se ka dëshmuar amputimin e një burri që kishte pësuar lëndime nga lidhja e duarve.
“Që në ditët e para, jam ballafaquar me dilema serioze etike”, ka thënë një letër e një doktori për Ha’aretz, gazetë izraelite. “Po ju shkruaj t’ju paralajmëroj se operacionet e objektit nuk janë në përputhje me Ligjin për Burgosjen e Luftëtarëve të Paligjshëm”.
Një zëdhënës i IDF-it i ka mohuar pretendimet, duke thënë se procedurat mjekësore kryhen me “kujdes maksimal” dhe në lidhje me të drejtën ndërkombëtare dhe izraelite. Prangosja ishte bërë “në lidhje me procedurat, gjendjen shëndetësore dhe nivelin e rrezikut ndaj tyre”, dhe se supozimet do të hetoheshin.
Denoncuesve u është thënë gjithashtu se ekipit i është thënë të përmbahej nga nënshkrimi i dokumenteve mjekësore, duke i vërtetuar raportimet e mëparshme nga grupi i Mjekëve për të drejtat e njeriut në Izrael (PHRI).
Raporti i PHRI-së në prill ka paralajmëruar për “shqetësimin serioz se anonimiteti përdoret për t’i parandaluar hetimet ose ankesat në lidhje me shkeljet e etikës mjekësore dhe profesionalizmit”.
“Nëse nuk nënshkruan asgjë, nuk ka verifikim të autoritetit”, ka thënë denoncuesi i pakualifikuar për operimet mjekësore. “Është parajsë për praktikantët, sepse mund të bëjnë çfarë duan”.
Të fshehur nga bota e jashtme
Sde Teimani dhe kampet e tjera ushtarake kanë punuar në fshehtësi. Izraeli vazhdimisht i ka refuzuar kërkesat për ta treguar numrin e të burgosurve, ose për vendndodhjen e të burgosurve të Gazës.
Gjykata e Lartë izraelite e ka mbajtur një seancë dëgjimore si përgjigje ndaj një peticioni të paraqitur nga grupi izraelit i të drejtave të njeriut, HaMoked, për ta zbuluar vendndodhjen e një tekniku palestinez të arrestuar nga Spitali Nasser në Gazën jugore në shkurt. Ishte seanca e parë gjyqësore e këtij lloji që nga 7 tetori.
“Zhdukjet lejojnë që të ndodhin mizoritë për të cilat kemi dëgjuar”, ka thënë Tal Steineri, avokat izraelit për të drejtat e njeriut. “Njerëzit e izoluar nga bota e jashtme janë më të ndjeshëm ndaj torturave dhe keqtrajtimit”.
Që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, më shumë se 100 struktura të reja, duke përfshirë tenda dhe hambarë, janë ndërtuar në kampin shkretinor. Disa grupe të të drejtave dhe ekspertë ligjorë kanë thënë se besojnë që Sde Teimano, më i afërmi me Gazën, ka të ngjarë ta ketë numrin më të madh të të burgosurve.
“Isha atje për 23 ditë. 23 ditë që mu kanë dukur si 100”, ka thënë Ibrahim Yassine, 27-vjeçar, për burgosjen në kampin ushtarak.
Ai ishte i shtritë në një dhomë të mbushur me dhjetëra burra të veshur me uniforma të burgut. Disa kishin lëndime aty ku ishin prangosur.
“Ne ishim të prangosur dhe me sy të mbuluar”, ka thënë Sufyan Abu Salah, 43-vjeçar. “Sot është dita e parë që mund të shoh”.
Disa prej tyre janë dukur të dobësuar. Një burrë i moshuar merrte frymë përmes një makinerie oksigjeni. Jashtë spitalit, dy të liruar nga shoqëria palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe i kanë përqafuar kolegët e tyre.
Për al-Ranin, ribashkimi me shokët ishte gjithçka përveç i lumtur. Eksperienca, sipas tij, e kishte heshtur atë për një muaj teksa luftonte me “vdekjen emocionale”.
“Ishte shumë e dhimbshme. Kur u lirova, njerëzit prisnin t’i përqafoja dhe t’u tregoja sa shumë më mungonin. Por kishe një hapësirë të zbrazët brenda meje”, ka thënë al-Rani. “Njerëzit që ishin me mua në kamp ishin bërë familja ime. Kjo shoqëri ishte e vetmja gjë që na përkiste”.
Para lirimit të tij, një i burgosur tjetër i kishte folur: “Më ka kërkuar ta gjeja gruan dhe fëmijët e tij në Gaza. Më tha t’ju tregoja se është më mirë të bëhen martirë. Më mirë martir sesa të mbahesh këtu”.