Po i afrohet fundit afati deri kur Joe Biden mund të vendosë të tërhiqet nga gara për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Konventa Kombëtare e Partisë Demokratike do të nisë më 19 gusht, por Komiteti Kombëtar Demokratik pritet të mblidhet virtualisht në javën e parë të gushtit për ta nominuar Bidenin si kandidat zyrtar për t’i përmbushur afatet e zgjedhjeve
Numri i demokratëve që po shprehen publikisht se shanset e Joe Bidenit për të fituar një mandat të ri si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet e nëntorit janë të pakta po rritet dhe ekziston ende mundësia që presidenti të tërhiqet.
Ka shkuar në 35 numri i ligjvënësve dhe senatorëve të demokratëve që e kanë kërkuar tërheqjen e presidentit nga gara. Edhe te donatorët e mëdhenj janë shtuar dilemat nëse do të vazhdojnë financimin e fushatës së tij. Tashmë po raportohet se presidenti është duke iu afruar marrjes së vendimit për t’u tërhequr, edhe pse publikisht po refuzon.
Zyrtarisht, ekipi i fushatës së Bidenit të premten ka konfirmuar se ai do të qëndrojë në garë. Por, nëse tërhiqet, demokratët duhet të vendosin shpejt se kush dhe si do ta zëvendësojë.
Një skenar do të ishte që Bideni të mbështesë një kandidat alternativ dhe t’u kërkonte delegatëve ta votojnë në Konventën Kombëtare Demokratike në fund të gushtit në Chicago.
Historikisht, delegatët e kuvendit votojnë për kandidatin që fiton zgjedhjet primare. Pothuajse të gjithë 3.896 delegatët votuan për Bidenin. Por rregullat e Komitetit Kombëtar Demokratik lejojnë që vota të ndryshohet - duke përmendur “ndërgjegjen” si arsye për ndryshimin e vendimit të një delegati.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris konsiderohet zgjedhja më logjike për t’i marrë votat e delegatëve. Ajo është e para në radhë për ta pasuar presidentin aktual.
Kjo zgjedhje do të kishte kuptim edhe financiarisht, sepse rregullat thonë se Harrisi mund të shpenzojë para nga fushata e destinuar për Bidenin dhe fondet arrijnë në rreth 91 milionë dollarë, sipas raportit të fundit në qershor.
Sipas një sondazhi nga Associated Press dhe Qendra e Kërkimit të Opinionit Publik NORC, rreth 85 për qind e demokratëve mendojnë se Harrisi do të ishte e duhur për postin e presidentit. 30 për qind e popullsisë së përgjithshme mendojnë po njësoj. Rreth 47 për qind e të rriturve kanë mendim të mirë për zëvendëspresidenten aktuale, dhe 74 për qind e tyre janë demokratë.
Por demokratët do të donin gjithashtu të shmangnin përshtypjen se po veprojnë në mënyrë jodemokratike duke kurorëzuar automatikisht Harrisin si pasuese të Bidenit, dhe në vend të kësaj mund të mbajnë konventë të hapur.
Konventa e hapur
Partia mund të mbajë konventë të hapur dhe ta zgjedhë një nga kandidatët - duke përfshirë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro ose guvernatoren e Michiganit, Gretchen Whitmer.
Konventa e hapur do të ishte proces i turbullt dhe përçarës që disa demokratë do të donin ta shmangnin dy muaj para zgjedhjeve. Emërimi i dikujt tjetër në vend të Kamala Harrisit do të zemëronte gratë me ngjyrë - të cilat janë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes për demokratët.
Në thelb, nëse Bideni do të tërhiqej, demokratët do të duhet të vendosin shpejt për zëvendësuesin që mund të fitojë zgjedhjet.
“Pyetja është nëse mund ta bëjnë muajin e ardhshëm”, ka thënë Larry Sabato nga Qendra për Politikë e Universitetit të Virginias.
Demokratët gjithashtu duhet të vendosin se kush do të jetë kandidati për zëvendëspresident - gjë që mund të shkaktojë përsëri përçarje në parti.
Bideni ka thënë në disa raste se disa gjëra do ta shtynin ta konsideronte tërheqjen – rezultatet e dobëta në sondazh, ndonjë problem të ri shëndetësor ose nëse “Zoti zbret dhe i thotë të heqë dorë”.
Bideni thirrje për unitet, beson në fitore
Pavarësisht thirrjeve të shtuara kundër, presidenti Joe Biden ka bërë thirrje për bashkim të partisë për ta mposhtur atë që e quajti “vizioni i errët” që përfaqëson kundërshtari i tij politik, ish-presidentit Donald Trump.
Deklarata e Bidenit të premten vjen pas rritjes së numrit të demokratëve në Kongres që kërkojnë tërheqjen e tij, pas debatit zhgënjyes ndaj Trumpit.
Gjatë orëve të vona të së premtes, senatori demokrat nga Ohio, Sherrod Brown iu bashkua thirrjeve. Ai u shpreh në një deklaratë se ai është dakord me shumë banorë të Ohios që e kanë kontaktuar. “Mendoj se presidenti duhet t'i japë fund fushatës së tij elektorale”, ka thënë senatori demokrat që përballet këtë vit me një kandidim të vështirë për rizgjedhjen e tij.
Pak më vonë, ligjvënësi demokrat nga Kentucky, Morgan McGarvey gjithashtu i ka bërë thirrje presidentit të tërhiqet, duke deklaruar se “nuk ka gëzim në pranimin se ai nuk duhet të jetë kandidati ynë në nëntor. Por, çfarë do të vendoset nga këto zgjedhje është tepër e rëndësishme”.
Bideni aktualisht është i izoluar pas infektimit me COVID-19. Por 81-vjeçari është zotuar se do të rikthehet javën tjetër në fushatë.
Presidenti, i cili këmbëngul se mund ta mundë kandidatin republikan, po konsultohet me familjen dhe po mbështetet te disa këshilltarë të tij të besueshëm, ndërkohë që po përpiqet t’u rezistojë përpjekjeve për ta larguar nga gara.
Në një deklaratë të premten, Bideni ka thënë se fjalimi i Trumpit në Kuvendin Kombëtar Republikan, shpalosi “vizion të errët për të ardhmen”.
Ai ka këmbëngulur se pavarësisht shqetësimeve të disa zyrtarëve të partisë, ai mund t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit.
“Bashkërisht, ne mundemi dhe do ta mposhtim atë tek kutia e votimit”, ka deklaruar ai. “Rreziku është i lartë dhe zgjidhja është e qartë. Së bashku, do të fitojmë”.
Gjithashtu, nënpresidentja Kamala Harris i ka siguruar mbështetësit kryesorë financiarë demokratë se Partia Demokrate do t'i fitojë zgjedhjet presidenciale.
“Do t'i fitojmë këto zgjedhje”, ka thënë ajo gjatë një telefonate të organizuar në minutën e fundit, sipas një personi në dijeni të bisedës. “E dimë se cili kandidat në këto zgjedhje vendos të parin popullin amerikan: presidenti ynë Joe Biden”.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, në ftesën dërguar donatorëve u kërkohej të merrnin pjesë në një informim 30-minutësh “për të diskutuar nevoja urgjente që po shfaqen”. Kjo agjenci pati njoftuar se disa nga aktivitetet për mbledhje fondesh për fushatën elektorale të presidentit ishin pezulluar, ndërsa donatorët kishin kërcënuar t'i tërhiqnin fondet e tyre.
Më herët gjatë ditës, drejtuesja e fushatës Jen O’Malley Dillion, ka pranuar se ka “rënie” të përkrahjes për presidentin, por ka këmbëngulur se ai “absolutisht” do të qëndrojë në garë dhe se ekipi i tij elektoral mendon se ka “disa mënyra” për ta mundur Trumpin.
“Kemi shumë punë për t'i siguruar amerikanët se po, është i moshuar, por ai mund të fitojë zgjedhjet”, ka deklaruar në televizionin MSNBC. Por ajo ka thënë se votuesit e shqetësuar rreth aftësisë së Bidenit për të udhëhequr vendin, nuk kanë vendosur të votojnë Trumpin. “Ata kanë pyetje, por po qëndrojnë me Joe Bidenin”.
Në të njëjtën kohë, dega e Komitetit Kombëtar Demokrat mbajti një takim të premten, duke vazhduar me planet për një votim virtual më 7 gusht për të emëruar të përzgjedhurin e partisë për president para kuvendit të partisë që do të mbahet në fund të gushtit në Chicago.
Këto janë ditë tejet të rëndësishme për presidentin dhe partinë e tij: Trump sapo e ka mbyllur Kuvendin Kombëtar Republikan në Milwaukee me entuziazëm. Ndërkohë, demokratët, që po luftojnë me kohën, po shqyrtojnë mundësinë e jashtëzakonshme që Bideni të tërhiqet nga gara zgjedhore për të lëshuar rrugën një të emëruari të ri para kuvendit.
Të premten, përfaqësuesit Jared Huffman, Mark Veasey, Chuy Garci dhe Mark Pocan – që bashkërisht përfaqësojnë një grup të gjerë të Partisë Demokratike në Kongres – bën një thirrje të përbashkët për largimin e Bidenit nga gara. “Duhet ta mposhtim Donald Trumpin për të shpëtuar demokracinë tonë”, kanë shkruar ata.
Në një shkrim të veçantë, përfaqësuesi Sean Casten i Illinois ka thënë se “me zemër të thyer dhe pas një reflektimi personal” ai, gjithashtu, i bëri thirrje Bidenit “të bartë stafetën tek gjenerata e re”.
Zyrtarët e fushatës kanë thënë se Bideni është edhe më i përkushtuar të qëndrojë në garë përkundër thirrjeve për t’u tërhequr. Sipas tyre, këshilltarët e lartë të presidentit në Shtëpinë e Bardhë nuk kanë pasur biseda të brendshme me presidentin për largimin e tij nga gara. Por ende mbetet kohë për ta rishikuar këtë qëndrim. Bidenit i është thënë që fushata po has në vështirësi të mbledhë fonde dhe se demokratët e rëndësishëm po shqyrtojnë mundësitë, ndërkohë që ai është i izoluar për shkak të COVID-19 dhe nuk po bën fushatë, për të nxitur largimin e tij. Disa pjesëtarë të kabinetit të tij kanë dyshime mbi aftësinë e Bidenit për të fituar.
Sipas Associated Press, njoftimi për këtë lajm është bazuar pjesërisht në informacionin e dhënë nga rreth dhjetë persona, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes.
Republikanët bëjnë planet për kundërshtarin “jo-Biden”
Edhe republikanët janë duke diskutuar se kush mund ta zëvendësojë për t’u përballur në nëntor me kandidatin e tyre, ish-presidentin Donald Trump.
Një ndër thirrjet që dëgjoheshin në Kuvendin Kombëtar Republikan ishte “Joe duhet të largohet”.
Nëse presidenti Biden largohet vërtet, pas trysnisë nga vetë partia e tij që pritet të mbajë muajin e ardhshëm Kuvendin Kombëtar Demokrat, republikanët kanë parashikimet e tyre se kush mund ta zëvendësojë atë si kandidat.
“Sipas rregullores, nëse e zbatojnë, do të ishte Kamala Harris derisa të shkojnë në kuvend dhe aty mund të bëhet proces i hapur”, ka thënë Lori Klein Corbin, anëtare nga Arizona e Komitetit Kombëtar Republikan.
Ky lloj procesi do të ishte një kuvend i hapur me më shumë se një raund votimi. Herën e fundit që demokratët kanë bërë një proces të tillë dhe që u rezultoi me fitore në zgjedhje, ishte në vitin 1932, kur u përzgjodh Franklin Roosevelti.
Republikanët që gjendeshin në Milwaukee patën disa emra befasues për personat që mendojnë se mund të bëhen kandidati demokrat për president.
“Mendoj se do të kandidonte Jill Biden. Po, mendoj se do të kandidonte dhe do të dilte më mirë se bashkëshorti i saj”, ka thënë Rochelle Brooks, delegate alternative në Kuvendin Kombëtar Republikan.
Ajo po diskutonte për alternativat e ndryshme me një tjetër delegat alternativ nga Kalifornia.
“Gavin Newsome është një tjetër emër, pas Michelle Obamës dhe Kamala Harrisit”, ka thënë një delegat tjetër.
Gavin Newsome është guvernator në Kaliforni.
Michelle Obama, bashkëshortja e ish-presidentit Barack Obama, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk është e interesuar për t’u bërë politikane.
Nënpresidentja Kamala Harris është zëvendësuesja më e mundshme për presidentin Biden, ka thënë Alan Swain, i cili kandidon në Karolinën e Veriut si kandidat republikan për në Kongres.
Hera e fundit që një president amerikan vendosi të mos kandidojë për një mandat të dytë, ishte në vitin 1968 me demokratin Lyndon Johnson, ndërsa vazhdonte lufta e Vietnamit.
Zgjedhjet në SHBA mbahen më 5 nëntor.
Fotolegjenda1. Pavarësisht thirrjeve të shtuara kundër, presidenti Joe Biden ka bërë thirrje për bashkim të partisë për ta mposhtur atë që e quajti “vizioni i errët” që përfaqëson kundërshtari i tij politik, ish-presidentit Donald Trump.
Fotolegjenda2: Zëvendëspresidentja Kamala Harris konsiderohet zgjedhja më logjike për t’i marrë votat e delegatëve. Ajo është e para në radhë për ta pasuar presidentin aktual.