Austria është zhytur në kaos më të thellë politik të mërkurën, pasi që partia e së djathtës ekstreme, Partia e Lirisë (PL), që udhëhiqet prej Herbert Kickl, ka dështuar të sigurojë një marrëveshje për koalicionin e ardhshëm, duke u dhënë fund bisedimeve me partitë e qendrës së djathtë, ka raportuar Politico.
Çfarë ndodh pas kësaj varet kryesisht nga presidenti austriak Alexander Van der Bellen. Ai mund të shpall zgjedhje të reja ose mund të lejojë partinë e qendrës së djathtë, Partinë Popullore (PP), që të provojë të arrijë marrëveshje me partitë e qendrës dhe ato të majta.
Pavarësisht mundësive të kufizuara, ato parti mund ta konsiderojnë këtë kurs veprimi si më të përshtatshëm, duke marrë parasysh se si sondazhet e opinionit publik sugjerojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të shpërblenin të djathtën ekstreme me një fitore të fuqishme.
Kickl ishte rrugës për t’u bërë lideri i parë austriak i ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore. Partia e tij fitoj më së shumti vota në zgjedhjet e shtatorit dhe ndonëse Van der Bellen i dha ish-kancelarit Karl Nehammer mundësinë e parë për të formuar një koalicion me partitë e tjera kryesore, bisedimet dështuan në fillim të janarit.
Pavarësisht bindjeve anti-emigrante dhe proruse, PL e Kickl kishte qenë në diskutime me PP e Nehammer që nga janari. Ata nuk kanë arritur të gjejnë pajtim për ndarjen e posteve të kabinetit qeveritar.
Në ofertën e tij të fundit, Kickl iu ka ofruar kundërshtarëve politikë numër më të madh të ministrive, duke i rezervuar postet kyçe të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave për partinë e tij. Në kundërofertën e saj, PP-ja ka dëshiruar të mbajë Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke i propozuar PL-së që të merrte kompetencat për azil dhe migracion. Kickl e refuzoi këtë ofertë.
“Negociatat ishin përfundimisht të pasuksesshme”, i është drejtuar Kickl presidentit Van der Bellen përmes një letre.
Lideri i qendrës së djathtë Christian Stocker ka thënë se Partia Popullore (PL) dëshironte të sigurojë një “shtet kushtetues të mbrojtshëm” dhe të sigurojë bashkëpunimin me shërbimet ndërkombëtare të inteligjencës, që është pikërisht arsyeja se pse donte të mbante Ministrinë e Financave dhe atë të Punëve të Brendshme.
Ndonëse, Stocker nuk ka thënë asgjë për vazhdimin e mundshëm të bisedimeve me partitë e majta, partia Social-Demokrate, Të Gjelbrit dhe partia liberale NEOS kanë dhënë sinjale të forta rreth vullnetit të tyre për të mbajtur bisedime të reja.